Çavusoglu: Nesër diskutojmë për Idlibin me një delegacion nga Rusia
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, bëri të ditur se situata në Idlib të Sirisë ende ruan seriozitetin për shkak të agresivitetit të regjimit ndërsa këtë çështje do ta diskutojnë nesër me një delegacion që do të vijë nga Rusia.
Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi në Ankara me ministrin e Jashtëm dhe çështjeve për Evropën të Sllovakisë, Miroslav Lajçak tha se “vendosmërinë tonë lidhur me këtë çështje ia kemi përcjellë edhe Rusisë”.
Në pyetjen lidhur me situatën në rajonin Seraqib të Idlibit në Siri, Çavuşoğlu rikujtoi se situata ende ruan seriozitetin e saj ku për shkak të agresivitetetit të regjimit shumë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre.
Duke vënë dukje se ndaj ushtarëve turq ka patur një sulm ku si pasojë janë martirizuar 8 persona, Çavuşoğlu tha se “Kemi dhënë përgjigje të shumëfishtë ndaj kësaj. Vendosmërinë tonë lidhur me këtë çështje ia kemi përcjellë edhe Rusisë. Do të bëjmë çfarë të jetë e nevojshme për të parandaluar këtë dramë dhe katastrofë njerëzore”.
Çavuşoğlu tha se me Rusinë dhe Iranin kanë filluar mekanizmat e Astana-s dhe Soçit që në Siri synojnë sigurimin e armëpushimit, sigurimin që armëpushimi të jetë i përhershëm dhe kalimin në procesin politik.
“Deri më sot kemi parë frutet e këtyre. Por, është një mendim i cili nuk i beson procesit politik dhe që mendon se do të sjellë paqe vetëm me zgjidhje ushtarake. Më duhet të them se mendojnë shumë gabim, ndërkohë që agresiviteti i regjimit është rritur”, tha Çavuşoğlu.
Në vijim ai theksoi se “Ne jemi duke rivlerësuar dhe diskutuar këtë proces me Rusinë, me të cilën kemi punuar deri më sot kryesisht në Idlib dhe që është garantuesi i regjimit. Kam pasur bisedime me (ministrin e jashtëm rus Sergey) Lavrov. Po ashtu edhe ushtarakët tanë çdo ditë komunikojnë me bashkëbiseduesit e tyre rusë”.
“Presidenti (Recep Tayyip) Erdoğan dy ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin (rus Vladimir) Putin. Në fund të kësaj telefonate ata u dakorduan që një delegacion rus të vijë në Turqi dhe të bisedojnë. Ne si ministri e jashtme i kemi propozuar datën e takimit. Po ashtu edhe zv.ministri i jashtëm turk Sedat Önal ka qenë vazhdimisht në kontakt. Sipas informacioneve të marra pak më parë, nesër nga Rusia në Turqi vjen një delegacion i kryesuar nga ministria e jashtme”, tha Çavuşoğlu.
“Do të zhvillojmë bisedimet tona dhe nëse do të jetë e nevojshme do të zhvillohet edhe një takim në nivel të liderëve për të cilën presidenti ynë Erdoğan është dakorduar me Putinin. Qëllimi ynë është ta ndalim sa më parë këtë persekutim dhe agresivitet të regjimit si dhe të vazhdojmë mbledhjet e Komisionit Kushtetues dhe të përshpejtojmë procesin politik”, potencoi në fjalën e tij ministri Çavuşoğlu./AA
Fraksion.com