Vrau gruan në sy të tre fëmijëve; Burgim për Lulzim Cukun
“Arrest me burg” ka caktuar ditën e sotme Gjykata e Durrësit për Lulzim Cukun, 45-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e gruas së tij Manjola Cuku, në sy të tre fëmijëve.
Krimi i rëndë u shënua në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, ku Lulzim Cuku, qëlloi me thikë, bashkëshorten e Manjola Cuku 33 vjeçe, duke e lënë të vdekur.
Teksa u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike ai ka treguar se debatet me të shoqen kishin nisur prej tre muajsh,
“Kisha arsye se kisha gjetur gjëra të çuditshme në shtëpi që më bënin te dyshoja se më tradhetonte. Vjehrri më tha që shtëpia është kthyer në vend drogaxhinjsh, prandaj vendosa ta merrja me vete në Greqi. Por ajo nuk pranoi”, tha Cuku.
Sakaq Prokuroria ka zbardhur në seancë edhe dëshminë e vajzës 10-vjeçare të çiftit e cila ka thënë se e ka parë të atin duke e tërhequr zvarrë të ëmën të gjakosur.
Policia e Durrësit pas njoftimit të marrë në lidhje me ngjarjen u vu në ndjekje të autorit të dyshuar në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe Dibrës, prej nga ishte me origjinë i dyshuari.
Gjithashtu nga shërbimet policore u ushtrua kontroll në shumë objekte e ndërtesa ku dyshohej se mund të fshihej Cuku. 45-vjeçari, si pasojë e trysnisë së policisë u vetëdorzua në komisariatin e policisë Burrel mesditën e së dielës, ku ishte larguar për tu fshehur menjëherë pas krimit.
Çifti me origjinë nga Peshkopia ishin transferuar prej disa vitesh në zonën e Xhafzotaj në Durrës, ku kishin ngritur një shtëpi.
Ata janë prindër të tre fëmijëve, dy vajza dhe një djalë me moshë nga 2 deri në 10 vjeç, të cilët do të rriten jetim pa nënën e tyre.
Përpara policisë, autori i dyshuar i krimit Lulzim Cuku ka deklaruar se është penduar për krimin e kryer.
Ai ka tentuar edhe vetëvrasjen pas ngjarjes së rëndë, sipas pretendimeve të tij.
Fraksion.com