23 nëntori 1941 për mua është data që shënoi kthesë të rëndësishme në jetën time politike dhe personale. Vetëm dy javë pas themelimit të PKSH dhe nëntë ditë pas përfundimit të mbledhjes themeluese të Partisë, u thirr mbledhja për themelimin e Organizatës së Rinisë Komuniste.

Kjo qe një ngjarje e rëndësishme për jetën e vendit, por edhe për mua personalisht, pasi në të mora pjesë edhe unë, si përfaqësuese e vajzave dhe e të rejave komuniste e antifashiste. Isha e vetmja shoqe në këtë mbledhje, por edhe më e reja në moshë, nga të 20 pjesëmarrësit. Kjo mbledhje e futi jetën time në një rrjedhë të re, sepse më përfshiu në jetën politike të partisë e të vendit.

Aty u zgjodha anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste, përkrah Qemal Stafës, Nako Spirut, Misto Mames etj. Zgjedhja ime në këtë forum të lartë për kohën, pas Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, më krijoi mundësinë të marr pjesë edhe në mbledhjet që organizonte KQ Provizor i PKSH. Kështu, unë njihesha hap pas hapi me problemet e Partisë dhe të Luftës Nacionalçlirimtare dhe fitoja përvojë.

Enver Dhe Nexhmije

Puna krah për krah me shefin tim të celulës, Qemal Stafën, ka qenë një shkollë e mirë për formimin tim dhe për t’u marrë me problemet e ndryshme organizative, politike, kulturore dhe shoqërore të rinisë dhe të partisë. Me Qemalin kisha nisur bashkëpunimin që nga viti 1936, në Grupin Komunist të Shkodrës, dhe tani, duke qenë në udhëheqjen e Organizatës së Rinisë Komuniste, punova së bashku me të deri në ditën që ai ra heroikisht në luftë me forcat e zeza fashiste, më 5 maj 1942.

Që nga ajo ditë kur mora pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, për mua do të niste një jetë e re, rruga e gjatë e veprimtarisë dhe e aksioneve politike gjatë luftës, por edhe pas çlirimit të vendit. Por 23 nëntori 1941 do të hynte në jetën time si një datë e shënuar edhe në aspektin personal, sepse në atë mbledhje, unë, vajza e re dibrane, do të njihja dhe do të takoja për herë të parë Enver Hoxhën, djalin nga Gjirokastra, i cili do të bëhej shoku im i jetës.

Si për çdo të ri dhe të re, edhe për mua një ngjarje e tillë qe jashtëzakonisht e gëzueshme, pasi në zemrën time hyri një person, me të cilin do të lidhesha përgjithmonë. Kjo do të shënonte kthesën e dytë në jetën time, në aspektin personal dhe familjar. Ka mbetur i paharruar për mua çasti kur në dhomën e shtëpisë së Bije Vokshit ku ishim mbledhur, hyri Qemal Stafa bashkë me të deleguarin e KQ Provizor të PKSH, të cilin Qemali na e prezantoi me emrin Tarasi.

Ashtu si të tjerëve, edhe mua më ra në sy shtati i tij i lartë, pamja e tij e hijshme, sytë e qeshur dhe të gjallë. E kisha parë atë fytyrë së largu, por në kushte krejt të tjera, në krye të demonstratës së 28 tetorit 1941, kur ai përleshej me milicët. Ndërsa tani, në atë dhomë, ai erdhi midis nesh, na takoi një për një, na shtrëngoi duart dhe këmbyem disa fjalë. Më pas e dëgjova me vëmendje dhe e ndoqa me sy tek na fliste në emër të KQ Provizor të PKSH me aq pasion, për lirinë dhe të ardhmen që synonim.

Fjala e tij e zjarrtë na preku të gjithë ne të rinjtë që ishim në mbledhje. Mua, si vajzë e re që isha, idetë e tij më zgjonin ëndrra, vegime të bukura dhe aspirata të reja, për të cilat ai na tha se do të bëheshin realitet. Tarasi e shprehu hapur gëzimin që midis të rinjve në atë mbledhje merrte pjesë edhe një shoqe. Dhe unë pata rastin që, në pushimet që bënim, të bisedoja nga afër me të.

Nexhmije Hoxha Dhe Enver Hoxha1

Mbaj mend që e pyeta për luftën, për punët që duhej të bënim etj., dhe ai më fliste për atdheun e lirë dhe për një Shqipëri të re. Në njërin nga pushimet, Enveri u afrua pranë meje dhe më përgëzoi për diskutimin që bëra në mbledhje.

U ndjeva mirë nga kjo, sepse e konsiderova një përkrahje dhe një inkurajim të posaçëm, sidomos për të rejat, për vajzat, një vlerësim të forcës dhe të rolit të tyre në luftë dhe në shoqëri. Sigurisht, të gjitha këto ndjenja dhe mbresa të mira për Enver Hoxhën atëherë ishin thjesht në kuadrin e faktit që njohja ime me të në mbledhjen e 23 nëntorit ndikoi drejtpërdrejt në aspektin personal dhe emocional të jetës sime.

Sepse pas atij takimi të parë, shumë shpejt tek Enveri lindën ndjenjat për mua, të cilat në takimet e shpeshta që bënim më pas në mbledhje të ndryshme pune, u forcuan më shumë. Siç provoi koha, ato u kthyen në një dashuri të pastër, të shëndoshë dhe të fuqishme, që na pushtoi të dyve dhe na lidhi në jetën tonë të përbashkët.

Kjo dashuri u rrit dhe mbeti e pacenuar deri në frymën e fundit të Enverit dhe jeton me të njëjtën forcë ende në zemrën time për Enverin tim të dashur dhe të paharruar. Sa herë meditoj dhe bisedoj edhe sot me Enverin, mendja më shkon tek ajo njohja e parë me të, në mbrëmjen e 23 nëntorit 1941, e cila qe shkëndija që do të ndizte zjarrin e lidhjes sonë, që nuk njohu as edhe një krisje, sado të vogël.

Fillimet e jetës së përbashkët me Enverin dhe me familjen e tij. Pas festimeve të Nëntorit, në muajin dhjetor të vitit 1944, Enver Hoxha me Qeverinë u vendosën në zyra në Hotel “Dajti”.

Aty e filloi punën si Kryeministër, me mbledhje dhe takime pune, me marrjen e vendimeve të para dhe të domosdoshme, derisa u bënë gati zyrat e institucioneve të reja shtetërore. Edhe populli, pa dallim, të moshuar e të rinj, u përfshinë në punë dhe në aksione për heqjen e rrënojave të luftës, për pastrimin dhe rregullimin e qyteteve. Në ditët dhe muajt që pasuan, gjithnjë e më shumë rriteshin gëzimi dhe entuziazmi popullor në Tiranë dhe në të gjithë vendin për çlirimin e plotë të atdheut.

Enver

Të mëdhenj e të vegjël punonin dhe këndonin ku t’u jepej mundësia, gëzonin dhe këndonin, brohorisnin dhe mbanin në gojë ata që bënë luftën, dëshmorët dhe heronjtë dhe, pa dyshim, Komandantin e lavdishëm Enver Hoxha.

I bashkuar në Frontin Demokratik, i tërë populli përveshi krahët dhe, ashtu si në luftë, u ngrit i tëri në këmbë për rindërtimin e vendit, për ndërtimin e jetës së re. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1944 u gjend për ne një shtëpi banimi, e cila kishte qenë e një inxhinieri italian, Belotit. Ajo ishte bosh, pasi inxhinieri i kishte hequr të gjitha mobiliet dhe pajisjet nga vila dhe i kishte lënë për ruajtje te një miku i tij, një tregtar nga Korça. Enverit i pëlqeu kjo ndërtesë, ngaqë ajo mund të shërbente jo vetëm për banim, por mund të përdorej edhe për pritje zyrtare dhe për mbledhje të ndryshme pune, pasi kishte një sallon të ndarë me xham.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i mori në dorëzim mobiliet dhe pasi u inventarizuan si pronë shtetërore, ato u kthyen në shtëpi dhe u vunë në vendet e tyre. Vila kishte katër dhoma në katin e sipërm, ndërsa në katin e parë kishte një sallon, një dhomë buke dhe një dhomë shërbimi, e cila lidhej me shkallët, që të çonin në katin gjysmëpërdhes, ku ishte kuzhina dhe mjedise të tjera shtëpiake. Enveri mori aty prindërit dhe motrën të bashkëjetonin me ne. Në shtëpinë përdhese mbeti motra e mesme, Haxhireja, me tre jetimët e saj (burrin ia kishin vrarë në dyqanin e tij, në Berat).

Meqë nuk kishte me se të jetonte, e morëm edhe atë në shtëpi, me gjithë fëmijët. Enveri mori edhe vajzën e xhaxhait, Zylon e Baba Çenit, ndaj të cilit mendonte se kishte detyrime për atë që kishte bërë ai për edukimin e tij, si patriot dhe i mësuar që ishte. Meqë në 3-4 vitet e para pas çlirimit mbledhjet e Byrosë Politike bëheshin në shtëpinë tonë natën, ishte pak vështirë për familjen tonë të gjerë. Në dhomën më të madhe flinin gratë dhe fëmijët; në një dhomë të vogël flinte babai i Enverit.

Ndërsa Enveri kishte në përdorim vetjak vetëm dhomën e gjumit dhe paradhomën e saj, të cilën e përdori si studio, ku priste dhe zhvillonte edhe takime pune me shokët.

Enver Mehmet

Në dhomën tjetër flinin nëna dhe motrat e Enverit, ndërsa një dhomë e vogël përdorej si bibliotekë. Kjo gjendje vazhdoi gati 2 vjet, derisa pjesëtarët e familjes së Enverit u zhvendosën në një shtëpi ngjitur me tonën. Pas mobilimit të shtëpisë, unë dhe Enveri vendosëm që natën e Vitit të Ri të bënim martesën zyrtare.

Njoftuam për këtë familjet tona. Të dyja palët u befasuan dhe thanë: “Dale një herë, si kështu?! Nuk jemi gati”. Ne u shpjeguam se nuk duam asgjë, madje u thamë as dasmë nuk do të bëjmë. Në fakt, prindërit tanë kishin të drejtë, sepse atyre u erdhi më në fund rasti të martonin djalin e vetëm dhe ata të mitë, vajzën e vetme.

Prandaj ngulën këmbë në të tyren, madje, duke thënë se duhej bërë dyfish dasmë, meqë shpëtuat gjallë nga lufta. Por Enveri refuzoi, duke u thënë se në luftë ranë shumë shokë e shoqe, të rinj si ne, prandaj nuk na bën zemra të bëjmë dasmë. Familjarët nuk e zgjatën dhe pranuan dasmën tonë partizane. Megjithatë, diçka bënë.

Kështu, nuk shpëtuam nga një lloj dasme, si gjysmë popullore, gjysmë partizane, e cila mund të them se për të dy ne qe dhe disi komike. Unë nuk ua prisha qejfin as vjehrrës, as kunatave dhe as familjes sime, që merreshin vesh shumë mirë si krushq dhe u gatita si nuse pasditen e 31 dhjetorit. Në shtëpinë e babit erdhën nga familja e Enverit të marrin ‘nusen’. Krushqit qenë vetëm dy motrat e Enverit, Fahrija dhe Sanoja.

I pritëm me përzemërsi dhe i qerasëm me disa lloje ëmbëlsirash, sipas zakonit. Qeshëm shumë kur ato na treguan se ç’u kishte punuar Enveri: “I kërkuam makinën, po nuk na e dha. Thamë, po tani si t’ia bëjmë? U detyruam të marrim një pajton të vjetër… Ja kështu na e punoi Enveri yt, moj Verë…”

Më në fund erdhi çasti të iknim, për mua qenë momente tepër emocionuese, që nuk i kisha parashikuar. Kjo lloj ikjeje dhe ndarjeje nga prindërit dhe nga shtëpia ime e vogël më shkaktoi emocione të forta dhe më la disa mbresa të çuditshme.

Po ikte ‘nusja partizane’ nga shtëpia, veshur me një xhaketë stofi ushtarak, që më kishte shërbyer edhe si pallto. Dhe aty jashtë, në krye të rrugicës… ‘nusen e Kryeministrit’ po e priste një kalë kockë e lëkurë dhe një pajton shkatarraq, i rrjepur, nga ato të kohës së babaqemos. Kështu vajta në shtëpinë e Enverit, pa dhëndrin.

Ky, jo vetëm nuk erdhi të më marrë, por as në shtëpi nuk më priti. Kishte shkuar në zyrë! Më pritën nëna dhe babai i Enverit, motra tjetër dhe fëmijët e saj. Ata më dhanë disa dhurata. Edhe unë u dhashë vjehrrit, vjehrrës e kunatave disa peshqeshe, që nëna ime ua dërgoi sipas zakoneve të kohës. Pra, dashur pa dashur nuk shpëtova pa ceremoni, megjithatë “dasma” jonë nuk pati këngë dhe valle.

Sidoqoftë, ajo natë e Vitit të Ri 1945 kaloi me gaz e me të qeshura. Ajo qe dhe mbeti për mua një natë e paharruar, jo vetëm si nata e një Viti të Ri, por edhe nata e parë e jetës sime të re. Të nesërmen, siç e kishim vendosur, bëmë celebrimin zyrtar të martesës sonë. Për këtë, Enveri i kishte dërguar një kërkesë me shkrim Komitetit Ekzekutiv, i cili solli dy nëpunëse të gjendjes civile. U bë edhe aty një ceremoni e vogël, ku morën pjesë dy miqtë e ngushtë të Enverit, dr. Omer Nishani dhe Baba Faja Martaneshi, që kishin ardhur të na uronin Vitin e Ri.

Ata pranuan me kënaqësi të jenë dëshmitarë të lidhjes sonë martesore. Që nga ajo kohë, dr. Nishani me humorin e tij të njohur më thërriste ‘nusja e Enverit’. Më 1 dhe 2 janar na erdhën për vizitë urimi për Vitin e Ri dhe për martesën tonë shokë të Byrosë Politike, si Mehmeti me Fiqiretin, Hysniu, Vitoja, Nakoja dhe disa të tjerë.

Mbaj mend që na erdhi edhe një ‘delegacion’ i papritur, i vetorganizuar, dibranësh. Ishin bërë bashkë një grup kushërinjsh nga ana e babait tim, si dhe ndonjë dibran tjetër. Bëheshin 6-7 veta. I udhëhiqte kushëriri i babait, Mersin Qyflaku, i cili qe njohur me Enverin kur ky, nga baza ku ishte strehuar, te Xhamia e Zajmit, kaloi nëpër oborrin e shtëpisë së tij për t’i hipur një veture, që do ta çonte në Pezë.

Në grupin e ardhur bënte pjesë edhe një nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, por që ishte dibran. Më i paprituri për mua në këtë grupi ishte Zija Dibra, kushëri i babait nga nëna e tij. Ishte vëllai i Fuat Dibrës, pikërisht atij që u zgjodh regjent bashkë me Mehdi Frashërin, Lef Nosin e Patër Anton Harapin gjatë pushtimit gjerman. Ja pra, tani na vinte në shtëpi vëllai i regjentit për të na uruar për çlirimin e Shqipërisë dhe për martesën tonë!

Enver Nexhmije

Por as unë, as Enveri s’e bëmë veten. E trajtuam Zija Dibrën si të tjerët. Ai nuk ishte marrë me politikë, ishte përpjekur të mbante në këmbë kapitalin e familjes. Por edhe ai falimentoi në ekonomi, si i vëllai në politikë. Mbaj mend që në shtypin e kohës u shkrua se Enveri kishte bërë një martesë politike, duke u lidhur me një vajzë nga Veriu.

Kuptohet, në atë kohë as që nuk mund të bëhej fjalë për “muaj mjalti”. Ne mezi u mblodhëm të jetonim bashkë dhe të kishim një çati ku të fusnim kokën. Gjithashtu, na prisnin punët që kishim përpara./Nga libri me kujtime i Nexhmije Hoxhës/BW