AktualitetTë fundit

Lulzim Cuku rrëfen momentet e tmerrit si e vrau gruan dhe e kyçi në banjë

Në sallën e Gjykatës së Durrësit, Lulëzim Cukun, 45-vjeçari që vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij Manjolën 33-vjeçare mesnatën e 1 shkurtit,  ka rrëfyer momentet  e vrasjes së bashkëshortes së tij më 1 shkurt në banesën e vet në Xhafzotaj.

Gjykata vendosi burg pa afat për 45-vjeçarin i cili ka pranuar krimin që ka bërë me akuzën e vrasjes në rrethana familjare. Por 45-vjeçari jo vetëm që e vrau bashkëshorten, por e kyçi në banjë që ajo të mos kishte mundësi të dilte apo të kërkonte ndihmë.

Vajza 10-vjeçare që u morën në pyetje nga policia në prani të psikologes ka treguar ngjarjen. 10-vjeçarja tha se babai e dhunonte nënën e tyre dhe nëna së bashku me tre fëmijët vetëm dy ditë para ishin kthyer nga gjyshi në Dibër, pasi nëna kishte marrë një urdhër mbrojtjeje.

“Unë u zgjova nga gjumi se motra e vogël qante gjatë natës shumë. Pashë për mamin dhe nuk e gjeta në krevat. As babi nuk ishte. Dola në korridor dhe pashë gjurmë gjaku që kishin dalë nga dera e banjës në drejtim të derës jashtë. Shkova në banjë dhe dera ishte e kyçur. E hapa dhe në mes të banjës gjeta mamin me gjak. E tërhoqa deri te dera pastaj thirra edhe vëllanë të më ndihmonte, por nuk e lëviznim dot. Motra e vogël qante shumë se donte të pinte gji. Unë mora në telefon gjyshin dhe i thashë hajde se babi ka prerë mamin me gjak”, ka thënë vajza.

Prokurorja e çështjes Anila Bebeci, solli ngjarjen pas provave të mbledhura dhe kërkoi burg pa afat për autorin. Prokuroja tha se kur mbërriti policia në shtëpi dëgjoheshin të qarat e fëmijëve që vinin nga brenda banesës. Në katin e dytë në derën e banjës u gjetën fëmijët që qanin. Një palë gjurmë gjaku e drejtuan policinë në drejtim të banjës. Atje mbi trupin e nënës u gjetën tre fëmijët duke qarë të larë në gjak.

Me pranga në duar, i hutuar, Cuku i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga gjykatësi i çështjes Petraq Curri, i cili ngulmoi me pyetje, ndaj të akuzuarit, për të nxjerrë në pah natyrën e vërtetë të krimit.

Gjykatësi: Lulëzim pse e vrave gruan? Pse e vrave? A mund të na thuash si nisi kjo?

Më tha vjehrra merre gruan sille në Greqi se atje ka lloj lloj gjërash. Ka drogë që pijnë njerëzit në atë fshat.

Gjykatësi: Përgjigju pyetjes time, jo çfarë do ti të flasësh. Pse e vrave gruan?

Ajo më thoshte që do të të marr treçerekun e shtëpisë, nuk vinte me mua në Greqi.

Gjykatësi: Kur nisi konflikti mes jush?

Ka tre muaj. Unë erdha dhe bëra dokumentat se doja të merrja në Greqi por ajo më tha nuk lëviz prej shtëpie. I thashë që eja në Greqi, por nuk vinte. Për këtë kishim filluar të ziheshim.

Gjykatësi: Gruaja kishte urdhër mbrojtjeje. Në urdhrin e mbrojtjes thuhet që ti nuk duhet t’i afroheshe. Nuk duhet ta shqetësoje. Nuk duhet t’i afroheshe shtëpisë. Po pse shkove në shtëpi atë ditë?

Erdha nga Greqia dhe vajta në shtëpi, kisha gjetur lloj-lloj gjërash aty. Ajo më rrihte. Më thoshte dil nga shtëpia. Treçereku i shtëpisë është e imja dhe e fëmijëve. Mos na u afro. Po unë po rrija në shtëpinë time.

Gjykatësi: Ti e kishe vendimin e gjykatës që nuk duhet t’i afroheshe. Sot në datën 6 shkurt duhet të vije në gjykatë se mbaronte afati i urdhrit të mbrojtjes.

Po e drejtë.

Gjykatësi: I pandehur çfarë ndodhi atë natë?

Vumë fëmijët në gjumë nga ora nëntë. Ne u zumë në dhomën e gjumit fjalë pas fjale. Pastaj vajta në kuzhinë e mora thikën e bukës. E çova në banjë.

Gjykatësi: Çfarë ndodhi në banjë? Pse e kyçe nga jashtë? A mendove për tre fëmijët?

Në banjë e qëllova. Më thoshte s’ke punë me shtëpinë. Më thoshte do të të marr shtëpinë. Mendoja për fëmijët.

Gjykatësi: Çfarë mendove për fëmijët? Pse e le gruan brenda në banjë të kyçur nga jashtë?

E lashë që të mos e shikonin fëmijët se do trembeshin.

Gjykatësi: Pse e le gruan të kyçur, ajo s’kishte mundësi të dilte e të kërkonte ndihmë.

Jo jo e kyça vetëm të mos e shihnin fëmijët se trembeshin.

Gjykatësi: Çfarë bëre më pas?

Ika lashë fëmijët në gjumë. Mora makinën dhe ika u nisa për në fshat, por rrugës kam përplasur makinën dhe kam ikur me makina të rastit në Dibër.

Gjykatësi: Po kur fëmijët e gjetën nënën e tyre të larë në gjak, e mendove këtë?

E mendova ta kyçja banjën që të mos e shihnin fëmijët.

Gjykatësi: Çfarë bëhet me fëmijët tani e mendon këtë?

Unë mora në qafë atë e mora në qafë edhe veten time.

Gjykatësi: A ke gjë tjetër për të na thënë?

Jam i mallkuar nga Zoti që kam bërë këtë!

 

Fraksion.com