AktualitetKosovaTë fundit

Largimi i fotografisë së Thaçit; Osmani e cilëson të panevojshëm bojkotimin e PDK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në legjislaturën e shtatë do të jenë vetëm 14 komisione parlamentare, dhe se tashmë do të vendoset një praktikë që çdo të enjte të javës të mbahet një seancë plenare.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Osmani tha se brenda javës së ardhshme do të vendoset se a do të ketë zgjatje buxhetore edhe për muajin mars, apo të vendosen në rend dite buxheti i ri i vitit 2020.

Para gazetarëve, kryeparlamentarja Osmani foli edhe për bojkotimin e takimit të Kryesisë së Kuvendit nga ana e PDK-së, të cilën ajo e cilësoi si të panevojshme.

“Meqenëse kemi një ri-sistematizim të ministrive dhe zvogëlim të numrit të ministrive është dashur që edhe komisionet të përshtaten në përputhje me këtë. U pajtuam në kryesinë e Kuvendit që të kemi katërmbëdhjetë komisione që të mbikëqyrin ministritë e caktuara… Ne çdo të hënë të mbajmë mbledhje të kryesisë dhe çdo të enjte të kemi mbledhje të Kuvendit, pra seanca plenare. Pra, të kemi më pak pika të rendit të ditës, pastaj të kemi më shumë koncentrim dhe kontribut në ato pikat e rendit të ditës”, tha Osmani.

Duke folur për buxhetin e vitit 2020, kryeparlamentarja Osmani tha se është në dorën e qeverisë se a do të bëjë zgjatjen buxhetore, apo do të sjellë në rend dite projektligjin për buxhetin e këtij viti.

“Sa i përket trajtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020. Neve na është dërguar një letër nga ana e Thesarit për të njoftuar se së shpejti do të kemi kërkesën, qoftë për të kërkuar zgjatjen buxhetore për muajin mars, qoftë do të vij buxheti në tërësi i propozuar për vitin 2020. Shpresoj shumë që deri të hënën do të kemi këtë kërkesë nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të vendosim që në seancën e radhës që shpresojmë që të jetë të enjten që vjen do të trajtojmë kërkesën për zgjatjen buxhetore për muajin mars, apo do të vendosim në rend dite buxhetin për vitin 2020”, tha Osmani.

Derisa e mbrojti qëndrimin e mëhershëm të saj për zhvendosjen e fotografisë së presidentit Thaçi nga zyra e saj, Osmani tha se gjitha kritikat dhe bojkotimet nga ana e PDK-së janë të panevojshme.

“Kryesia e Kuvendit nuk është njoftuar formalisht për një bojkot të tillë, unë e konsideroj si tërësisht të panevojshme. Fotografia e presidentit aktual në asnjë moment nuk është larguar nga ana e kabinetit tim, por vetëm është zhvendosur. Ligji për protokollin e sqaron qartë se fotografia duhet të jetë brenda institucionit. Përderisa është brenda kësaj ndërtesë, vendi nuk është i rëndësishëm”, tha Osmani.

Krahas kësaj, kryeparlamentarja Osmani u shpreh e gatshme që të pezullojë pozitën e saj si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

“Gjatë këtyre katër viteve unë do të fokusohem në tërësi vetëm dhe vetëm në punën time në Kuvend, sado që studentët do të mungojnë shumë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani edhe sot u shpreh e vendosur për largimin e taksës  100 për qind ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Fraksion.com