AktualitetOp-EdTë fundit

Koment: Turpi i Gjermanisë

Nga Ines Pohl

 

 Para një jave, me 29 janar 2020, ka përkujtuar Bundestagu gjerman viktimat e Holocaustit. Shkas ishte përvjetori i 75-të i kampit të përqendrimit në Auschwitz. Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin i bëri thirrje gjermanëve në fjalimin e tij në Berlin që kurrë të mos i harrojnë këto tmerre. Dhe që me ngulm të luftojnë antisemitizmin, recizmin dhe urrejtjen ndaj të huajve. Rivlin tha se gjermanët dhe partitë e tyre kanë një obligim të veçantë që të angazhohen për liri, vlera demokratike dhe në veçanti kanë një përgjegjësi për të vepruar në harmoni me hisotrinë e kaluar. “Gjermania nuk guxon të harrojë”, tha ai.

Por vetëm një javë më vonë erdhi lajmi: Me ndihmën e votave të partisë së djathtë populliste AfD, në Tyringji është zgjedhur një kryeministër i ri i partisë liberale FDP. Një zgjedhje që ka tronditur Gjermaninë. Një zgjedhje që është më shumë se dëshmi se politikanët CDU dhe FDP të këtij landi, të cilët kanë bërë këtë zgjedhje, nuk e kanë kuptuar përgjegjësinë e tyre historike. Një zgjedhje e cila partitë demokratike i qet para një sprove që në fund mund të rezultojë me zgjedhje të jashtëzakonshme edhe në nivelin federal për Bundestag.

A është pushteti më i fortë se arsyeja?

Në javët e ardhshme do të dëshmohen nëse fjalët e politikanëve kryesorë në Berlin, që kurrë të mos kërkojnë krijimin e shumicës me mbështetjen e AfD, vërtet qëndrojnë. Apo dëshira për pushtet është megjithatë më e madhe se arsyeja.

Kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka kërkuar nga dega e CDU-së në Tyringji, që në asnjë mënyrë të mos futet në koalicion me AfD. Por kjo nuk është respektuar, ndaj shtrohet pyetja: A dëshmon kjo dobësinë e saj? Çfarë do të bëjë kancelarja gjermane Angela Merkel pas vendimit që përfaqëseusit e partisë së saj CDU të kërkojnë mbështetjen pikërisht të shefit të AfD në Tyringji Björn Höcke? Dhe çfarë do të bëjë partia socialdemokrate (SPD), e cila është në koalicion me CDU-në në nivelin federal?

Gjermanët që kanë harruar historinë

Kjo ditë duhet ta shqetësojë Gjermaninë deri në palcë. Forcat demokratike tani duhet të tregojnë se sa janë vërtet të fuqishme. Sa janë të gatshme ato të rrezikojnë dhe çfarë mund të evitojnë, në mënyrë që kjo sjellje të mos shndërrohet në normalitet. Para pak ditësh presidenti Steinmeier ka deklaruar në Yad Vashem, se “Nacionalsocializmi nuk ka rënë prej qiellit”.

Në këtë ditë të shkurtit, Gjermania e ka kuptuar se sa gjermanë kanë harruar historinë. Fjalët se “Gjermania nuk guxon të harrojë”, të presidentit Reuven Rivlin, kanë të bëjnë me të gjithë ne. Dhe askush nuk guxon të besojë se historia nuk mund të përsëritet./DW

 

Fraksion.com