Klvana: Ditë e keqe për Kushtetutën amerikane
Tomas Klvana, analist nga Instituti Aspen, me seli në Pragë, thotë se shfajësimi i presidentit amerikan, Donald Trump, nga akuzat për abuzim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit, ka krijuar një precedent në politikën amerikane, i cili do të mund të shfrytëzohet edhe nga presidentë të ardhshëm për të “manipuluar” me Kushtetutën e këtij vendi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Klvana kujton se gjatë gjykimit të presidentit Trump në Senatin amerikan nuk janë shqyrtuar provat, as nuk janë lejuar dëshmitarët. Klvana pret që hetimet kundër Trumpit të vazhdojnë, sidomos pas publikimit të librit të ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.
Trump është përballur me hetime – procedurë që në anglisht njihet si “impeachment” – tash e sa muaj. Dhoma e Përfaqësuesve – e udhëhequr nga demokratët – i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa Senati, i udhëhequr nga Partia e tij Republikane, e ka shpallur të pafajshëm më 5 shkurt.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Klvana, procesi i njohur si “impeachment” tashmë ka përfunduar dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është liruar nga akuzat, ashtu siç edhe pritej. Kush është dëmtuar nga ky proces?
Tomas Klvana: Mendoj se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është dëmtuar goxha rëndë, sepse, derisa kemi shikuar gjykimin dhe procedurat në Dhomën e Përfaqësuesve, ka qenë e qartë se rasti është serioz. Demokratët kanë sjellë shumë prova, por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, e pastaj edhe në Senat, kanë refuzuar t’i shqyrtojnë ato. Siç e dimë, ata kanë refuzuar t’i lejojnë edhe dëshmitarët të marrin pjesë në gjykim. Andaj, mendoj se humbësja më e madhe në këtë proces është Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.
Tomas Klvana: Sa i përket procesit të “impeachment”-it, besohet se ai nuk do ta dëmtojë Trumpin, por nuk do t’i dëmtojë as demokratët. Ka pasur frikë se njëra palë mund të humbë pikë politike gjatë fushatës zgjedhore. Unë mendoj se nëse demokratët dhe kandidati i tyre për president luajnë mençur me kartën e “impeachment”-it, ata mund të fitojnë pikë, sepse ne kemi dëgjuar shumë informacione për keqbërjet e zotit Trump, sa i përket Ukrainës dhe presidentit të saj (Volodymir) Zelensky.
Pra, nëse demokratët luajnë mençur, ata mund të fitojnë pikë në mesin e votuesve të pavarur. Ndoshta 8 për qind të elektoratit. Do të ishte vendimtare në zgjedhjet e vjeshtës. Por, kjo është një “nëse” e madhe.
Radio Evropa e Lirë: Kandidati i demokratëve për president nuk dihet ende. Por, si do ta ndikojë “impeachment”-i Joe Bidenin, të cilin disa sondazhe e nxjerrin favorit, por, në anën tjetër, ai ka qenë në qendër të procedurave për shkarkimin e presidentit?
Tomas Klvana: Druaj se Joe Biden është dëmtuar vërtet nga “impeachment”-i. E kemi parë këtë edhe në votimet në Ajoa. Të gjitha informacionet për keqbërjet e supozuara të tij dhe informacionet për djalin e tij, Hunter – se është paguar 50,000 dollarë në muaj nga një kompani e Ukrainës – thjesht nuk janë të mira për Joe Bidenin. Dhe, e kemi parë në votimet në Ajoa se këto informacione kanë luajtur rol dhe se ato kanë ndikuar te disa votues që do të mund të votonin për Bidenin, por kanë vendosur të votojnë kundër tij. Pra, mendoj se Biden del i dëmtuar nga ky proces.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni të bëjnë demokratët tani që procesi i “impeachment”-it ka përfunduar?
Tomas Klvana: Mendoj se do të përqendrohen në procesin e zgjedhjeve paraprake. Ata duhet të gjejnë se kush është kandidati më i fuqishëm për president. Një mundësi të madhe këtu ka Michael Bloomberg, ish-kryetar i Nju Jorkut. Ai është miliarder dhe po e financon fushatën e tij me para të veta. Ai po del gjithnjë e më mirë në sondazhet kombëtare dhe do të shohim nëse ka shanse në elektoratin e demokratëve.
Radio Evropa e Lirë: Disa media amerikane shkruajnë se “impeachment”-i ka marrë fund, porse hetimet kundër presidentit do të vazhdojnë. Si mendoni ju?
Tomas Klvana: Mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë, sepse ne kemi dëgjuar, për shembull, shumë informacione për marrëveshjet e tij në Rusi apo për lidhjet e çuditshme të disa njerëzve të tij, si avokati Rudy Guliani, me njerëznë Ukrainë që janë të afërt me krimin e organizuar. Pra, mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë. Kujtoj këtu se edhe libri i John Boltonit (ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare) do të publikohet në mars dhe do të sjellë informacione të tjera. Pra, ky rast është larg fundit. Është e mundshme që në Dhomën e Përfaqësuesve të nisë edhe një procedurë e “impeachment”-it, por unë nuk pres që kjo të ndodhë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, a do ta ndajnë këto gjëra edhe më shumë shoqërinë amerikane?
Tomas Klvana: Kam frikë që po. Mendoj se amerikanët do të përçahen edhe më shumë në muajt që do të vijnë. Kjo situatë është përkeqësuar pjesërisht edhe nga mediat, sepse ato janë gjithnjë e më të ndara. Ka shumë votues, sidomos nga tabori i djathtë, që ushqehen me propagandë dhe jo me informacione. Kjo është diçka fatkeqe dhe nuk mendoj se do të ndryshojë shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, çfarë precedenti ka krijuar në politikën amerikane ky rast i “impeachment”-it?
Tomas Klvana: Siç e thashë edhe në fillim, është një ditë e keqe për Kushtetutën amerikane. Nuk e di se si pas këtij “impeachment”-i – i cili ka dëshmuar qartë se presidenti Trump ka abuzuar me pushtetin për përfitime politike personale dhe është shfajësuar – do të mund të fajësohej, për çkado, ndonjë president tjetër në të ardhmen. Ky rast ka krijuar një precedent që na tregon se fuqia e presidencës, fuqia e ekzekutivit është fuqia më e rëndësishme. Këtë e kanë argumentuar republikanët dhe ekipi ligjor i presidentit Trump gjatë “impeachment”-it dhe kanë fituar.
Ne do të duhet të jetojmë me pasojat e atij vendimi kushtetues, që do ta ribalancojë gjithë rendin kushtetues në Shtetet e Bashkuara dhe do t’ua mundësojë presidentëve të ardhshëm, që mund të jenë më joparimorë se presidenti Trump, të manipulojnë me sistemin kushtetues për përfitimet e veta./rel
Fraksion.com