Shpërndarja e gazit të lëngshëm natyror, ambasadorja Kim: Do të ishim të kënaqur ta shikonim Shqipërinë të bëhej lider në rajon
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se nëse Shqipëria zhvillon infrastrukturën për shpërndarjen e gazit të lëngshëm natyror mund të bëhet një qendër rajonale dhe kjo do të sillte përfitime për ekonominë e vendit dhe rajonit.
“Do të ishim të kënaqur ta shikonim Shqipërinë të bëhej lider në rajon”, – tha Kim gjatë një seminari të mbajtur në Tiranë mbi potencialin e gazit të lëngshëm dhe shpërndarjen e tij në Europën Qendrore dhe Lindore.
Ambasadorja u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë lidhje të forta miqësie dhe angazhimi.
“Unë besoj se mund të dyfishojmë përpjekjet tona për të forcuar lidhjet ekonomike sepse ka potencial të jashtëzakonshëm këtu”, – u shpreh ambasadorja.
Falë një sere përparimesh inovatore, SHBA, tha Kim, janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe ky gaz po dërgohet në të gjithë botën për të furnizuar me energji shtëpitë, bizneset makinat, etj.
”Nga Holanda në Itali, nga Shtetet e Bashkuara GNL po gjen rrugën e tij për në Europë dhe shpresoj që do ta gjejmë këtë GNL edhe në Shqipëri”, – tha Kim.
Sipas ambasadores Kim, përfitimet e GNL-së janë të shumta.
“Është e rëndësishme për sigurinë e energjisë së Shqipërisë. Diversiteti i furnizimit me energji është thelbësor dhe aksesi në karburant nga partnerë të besueshëm është i rëndësishëm. Shqipëria e di se mund të mbështetet te SHBA, ashtu si SHBA e dinë se mund të mbështetemi te Shqipëria”, – deklaroi ambasadorja amerikane.
GNL, vijoi ajo, ka përfitime të shumta mjedisore në krahasim me karburantet e tjera fosile.
“Ne e shikojmë GNL amerikane si një tregues i integrimit rajonal, siç dëshmohet nga pjesëmarrja e miqve tanë nga Kosova. Nëse zhvillohet infrastruktura përkatëse dhe kjo është edhe pjesa më e vështirë, por nëse ne e zhvillojmë këtë infrastrukturë, Shqipëria mund të bëhet një qendër rajonale dhe kjo do të sillte përfitime për ekonominë e vendit dhe rajonit. Do të ishim të kënaqur ta shikonim Shqipërinë të bëhej lider në rajon”, – tha Kim.
Sipas saj, ekziston një potencial që në fund do të ndezë termocentralin e papërdorur të Vlorës, ashtu siç ekziston mundësia që shqiptarët të kenë një karburant më të lirë dhe më të pastër.
“Kjo do të përbënte një hap në drejtimin e duhur drejt sigurimit të energjisë së qëndrueshme në shtëpitë tuaja dhe zvogëlimit të importeve të shtrenjta të energjisë. Mund të furnizojë anije drejt Shqipërisë, duke ulur ndotjen përgjatë brigjeve të bukura të Adriatikut e Jonit. E ardhmja e energjisë së re është tani, është këtu dhe ne duam të ndihmojmë Shqipërinë ta kapë këtë mundësi”, – u shpreh ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim.
Fraksion.com