AktualitetRajoniTë fundit

Putin: Rusia bën shumë për stabilitetin në Ballkan

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij po bën shumë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale nga ambasadorët e rinj në Rusi, Putin kujtoi, siç tha ai, “takimin kuptimplotë” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që zhvilloi në fund të vitit të kaluar në Soçi.

“Janë arritur një numër marrëveshjesh për bashkëpunimin ruso-serb në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, kulturës dhe për koordinimin në çështjet rajonale,” tha Putin të mërkurën në Kremlin.

Rusinë dhe Serbinë i lidh një partneritet strategjik, që mbështetet në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të njerëzve, tha ai, duke shtuar se Rusia “po bën shumë për ta mbajtur situatën në Ballkan të qëndrueshme dhe të sigurt”.

“Ne jemi të përkushtuar në arritjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës, që do të jetë funksionalisht dhe reciprokisht e pranueshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti rus, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Në ceremoninë e së mërkurës në Moskë, letrat kredenciale i dorëzuan 23 ambasadorë të rinj, përfshirë atë të Serbisë, Miroslav Lazanski.

 

Fraksion.com