AktualitetPolitikëTë fundit

PD thotë që Anti-KÇK të përqendrohet në Tiranë

Ish-deputeti i PD, Flamur Noka, në një deklaratë për mediet e cilësoi “turizëm policor” aksionet e Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin e pasurive të dyshuara të pajustifikuara të personave në hetim apo të dënuar për krime të rënda.

Noka tha se pasuritë e Ermal Hoxhës për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, nuk duhet të mbeten të paprekshme.

Financieri i grupit të strukturuar kriminal, tha Noka, që ngriti laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, nuk duhet të ketë mbrojtjen nga ligji i Edi Ramës.

“Fatmirësisht, shqiptarët janë vetëdijësuar se ligji në duart e Edi Ramës është vetëm një mjet që i shërben pushtetit të tij dhe jo interesit publik.  Në çdo sondazh online, ku qytetarët votojnë të lirë, tregon mosbesimin e thellë të shqiptarëve tek kjo qeveri dhe tek ky kryeministër”, tha ai.

Ish-deputeti u shpreh se “për të luftuar krimin e organizuar, Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja propagandistike, që nuk zbatohen kurrë për miqtë, familjarët dhe klientët e kryeministrit. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i  krimit të organizuar”.

“PD është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi treguar se vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, dy armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve”, tha Noka.

 

Fraksion.com