AktualitetTë fundit

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti; 1, 076 miliardë euro për rimëkëmbjen

Për rimëkëmbjen e dëmeve dhe pasojave të shkaktuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit duhen 1, 076 miliardë euro.

Qeveria shqiptare publikoi sot raportin përfundimtar për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Dëmet llogariten në 985 milion euro, ndërsa për rimëkëmbjen duhen 1, 076 miliardë euro.

Sipas raportit të publikuar, shumica e dëmit është regjistruar në sektorin e strehimit (78.5%), e ndjekur nga sektori prodhues (8.4%) dhe sektori i edukimit (7.5%)

Vlerësimi zbulon se efekti i përgjithshëm i katastrofës në 11 bashki arrin në 985.1 milionë euro, nga të cilat 843.9 milion euro përfaqëson vlerën e asetet fizike të shkatërruara dhe 141.2 milionë euro i referohen humbjeve.

Në lidhje me shpërndarjen gjeografike të dëmeve dhe humbjeve, bashkia e Durrësit ishte dërrmuese më e prekur me 303.8 milion euro, ose 32.4% të dëmit dhe humbjeve totale, e ndjekur nga Tirana me 284.3 milion euro, ose 30%, dhe së treti Kruja me 84.2 milion euro ose 9%.

Nevojat totale për rikuperim janë 1,076.15 miliardë euro në të gjithë sektorët dhe për 11 bashkitë e prekura.

Nevojat vetëm në sektorin e banesave janë 802.86 milion euro. Janë 11 490 njësi banimi të prishura ose plotësisht të shkatërruara për tu rindërtuar dhe 83 745 njësi banimi të prishura pjesërisht ose lehtë për tu riparuar dhe përshtatur.

Rimëkëmbja në sektorin e arsimit do të kushtojë rreth 95 milionë euro. Gjithsej numërohen 321 institucione arsimore të dëmtuara.

Rikuperimi në sektorin e shëndetësisë kërkon 14.5 milionë euro. Në sistemin shëndetësor numërohen 36 qendra shëndetësore të dëmtuara. Nga këto 22 qendra janë primare shëndetësore, 3 spitale rajonale, 9 spitale universitare, 2 spitale qytetesh dhe 10 qendra shëndetësore.

Rikuperimi për sektorin e infrastrukturës do të jetë 61 milionë euro. Brenda sektorit të infrastrukturës, mbi gjysma e nevojave të rimëkëmbjes janë në nën sektorët e ndërtesave të energjisë dhe qeverisë, përkatësisht me 12.9 milionë euro dhe 26.5 milionë, ndërsa infrastruktura komunitare llogaritet 10.5 milionë euro. Janë 43 ndërtesa qeveritare të administratës lokale të dëmtuara, 2 argjinatura lumenjsh, 1 digë dhe një burg. Po ashtu nevojitet ndërhyrje në 5 rrjeta mbrojtëse rrugore  dhe 33 zyra administratash.

Rimëkëmbja në sektorin e bujqësisë kërkon një fond prej 5.7 milionë eurosh ndërsa për rikuperimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve nevojiten 1 milionë euro.

Në sektorin e bujqësisë llogariten dëme në makineri dhe lëndë të par si dhe dëmtime argjinaturash dhe sisteme kullimi, kryesisht në zonën e Durrësit.

Nevojat për rimëkëmbjen e sektorit të prodhimtarisë llogariten 51.8 milionë euro. Ato janë të përqendruara në nën sektorin e biznesit dhe punësimit (prodhim dhe tregti) me 27.84 milionë euro.

Numërohen gjithsej 714 sipërmarrje të dëmtuara. Si pasojë kemi 438 të papuna në 56 fabrika dhe 124 të papunë së sektorin e tregtisë.

Në sektorin e turizmit numërohen 18 struktura akomoduese të dëmtuara dhe 42 struktura shërbimi (bar/restorante?. Si pasojë qeveria parashikon rënie e numrit të turistëve që do të frekuentojnë vendin në periudhën 2020-2022.

Nevojat për rindërtim të aseteve të trashëgimisë kulturore llogariten 7.4 milionë euro. Janë gjithsej 2 muzeume kombëtare dhe 3 lokalë të pa sigurt për publikun që janë mbyllur dhe 11 monumente kulture të prekura.

Ndërsa për mbrojtjen civile dhe reduktimin e rrezikut të katastrofave  nevojiten 48.2 milionë euro.

 

Fraksion.com