Autoritetet në Kosovë paralajmërojnë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë në vend të tarifave
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha sot se tarifa ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me masa të reciprocitetit të plote politik dhe ekonomik ndaj Serbisë.
Ai i bëri këto komente pas takimit me shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, duke komentuar thirrjet amerikane dhe evropiane për heqjen e tarifave të vendosura në vitin 2018, që çuan në bllokimin e bisedimeve me Serbinë.
Good 1st meeting w/ new Kosovo Prime Minister @albinkurti. Expressed @EUKosovo support to Government & 🇽🇰people. Encouraged by his commitment to Kosovo's European path. Look fwd to enhanced cooperation on implementing SAA, European #GreenDeal & advancing 🇽🇰economy & rule of law. pic.twitter.com/r4xLbTZOOh
— Nataliya Apostolova (@ApostolovaEU) February 5, 2020
Zëvendësimi i tarifave me masën e reciprocitetit është edhe pjesë e programit qeverisës koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Pra ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore bilaterale e ky është reciprociteti. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe lëvizja Vetëvendosje edhe zonja Osmani edhe unë, pra mbi 60 për qind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë praktikisht me parimin e reciprocitetit”, tha kryeministri Kurti.
Edhe kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi një qëndrim të tillë duke nënvizuar se fillimisht Serbia duhet të ndalë fushatën kundër Kosovës dhe njohjeve të reja.
“Barrierat tarifore që Serbia i ka vendosur ndaj mallrave të Kosovës të cilat kanë shkaktuar jo vetëm probleme të mëdha ekonomike dhe një disbalanc të madh tregtar janë çështje që ne duhet patjetër t’i adresojmë me parimin e reciprocitetit. Pra, relacionet në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë patjetër duhet të jenë relacione të bazuar në këtë parim, parimi i reciprocitetit njihet në të drejtën ndërkombëtare në veçanti në të drejtën ndërkombëtare tregtare, është parim që e aplikon secili shtet demokratik, secili shtet i zhvilluar dhe ka ardhur koha që Kosova të dëshmoj që është e tillë, pra të veprojë në përputhje me këtë parim”, tha zonja Osmani.
Një ditë më parë ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, tha se “pret që Kosova të heqë menjëherë tarifat ndaj mallrave serbe”.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Natalya Apostolova tha se Bashkimi Evropian përmes zyrtarëve të tij të shumtë ka shprehur qëndrimin se heqja e tarifave do të mundësonte në rikthimin e palëve në bisedime.
“Ne tash presim nga qeveria e re të dal me disa propozime dhe disa ide se si do ta trajtojnë këtë çështje. Ne nuk duam të përshkruajmë se si duhet të veprohet, por do të dëshironim që tarifat të hiqen në mënyrë që të rinisin bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë”, tha zonja Apostolova.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Ish kryeministri Haradinaj, tha të hënën në një intervistë për Zërin e Amerikës se heqja e tarifave do të ishte gabim./VOA
Fraksion.com