AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

Procesi i zgjerimit të BE-së dhe Ballkani Perëndimor

Komisioni Evropian do të propozojë ndryshime në sistemin e pranimit të vendeve të reja në Bashkimin Evropian, duke u dhënë më shumë zë vendeve anëtare, në një përpjekje për të zbutur qëndrimin e Francës, e cila i vuri veto zgjerimit të bllokut me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, ndërpreu procesin e pranimit të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut. Komisioni shpreson të bindë Francën të heqë dorë nga kundërshtimet e saj para takimit të lartë të Zagrebit me vendet e Ballkanit në muajin maj.

Presidenti Macron është bërë më i zëshmi midis politikanëve evropianë që thonë se zgjerimi i fundit i madh, kur Rumania dhe Bullgaria u anëtarësuan në vitin 2007, ishte shumë i nxituar dhe nevojitet kujdes për shtimin e më shumë vendeve anëtare nga një rajon i përfshirë nga korrupsioni dhe krimi.

Në nëntor, Franca dorëzoi një propozim për ndryshime, që do t’u jepnin udhëheqësve të vendeve anëtare më shumë zë mbi procesin e zgjerimit. Parisi thotë se mbështet anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në një afat të gjatë.

Ndryshimet që Komisioni pritet të shpalosë të mërkurën, do t’u japin vendeve anëtare fuqinë për të ndalur procesin e pranimit të vendeve të reja, ose madje edhe detyrimin e vendeve që të rifillojnë bisedimet e anëtarësimit në disa fusha. Më shumë takime të nivelit të lartë do të mbaheshin në rajonin e Ballkanit për t’u dhënë politikanëve mundësi që të flasin më shumë përgjatë procesit.

“Presidenti Macron dëshiron të shihet si ‘lojtar kryesor’ dhe ne mund ta pranojmë këtë, sepse besueshmëria e BE-së është në pikëpyetje”, tha një zyrtar i lartë i BE-së i përfshirë në reformë. “Kjo është politike dhe personale, kështu që le ta shmangim dramën”.

Por propozimet e Komisionit nuk do të përmbushin disa nga kërkesat franceze, përfshirë edhe atë që fondet për anëtarët e rinj të merren nga paratë e përcaktuara për vendet e varfra që tashmë janë anëtare të bllokut. Zyrtarët e BE-së thonë se një veprim i tillë do të rrezikonte mbështetjen për zgjerimin midis vendeve anëtare të varfra.

Një diplomat i BE-së tha që ende nuk ishte e qartë nëse Franca do të jetë e kënaqur me propozimet e reja: “Me presidentin Macron, ne kemi një shans prej 60 për qind për sukses”, tha ai.

Të gjitha qeveritë tjera të vendeve të Bashkimit Evropian, gjithashtu duhet të pajtohen me metodologjinë e re.

Zyrtarët francezë në Paris i thanë agjencisë së lajmeve Reuters, se nuk i kanë parë ende propozimet e Komisionit, por kanë zhvilluar bisedime me Komisionarin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Vende të tjera, përfshirë Holandën dhe Danimarkën, gjithashtu kanë qenë skeptikë për zgjerimin, por zyrtarët e BE-së thonë që nëse ata mund ta bindin Francën të heqë dorë nga kundërshtimet e saj, ato vende me siguri do të pajtoheshin.

“Pa presidentin Macron, as holandezët, as danezët nuk do ta bllokonin procesin; sigurisht jo për Maqedoninë e Veriut, mbase as për Shqipërinë”, tha një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian./voa

 

Fraksion.com