Partisë së kryeministrit hungarez i vazhdohet masa e pezullimit nga EPP
Grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë, vendosi ta mbajë jashtë grupit partinë qeverisëse të Hungarisë, Fidesz, për një kohë të pacaktuar.
Në mars të vitit 2019, Fidesz u pezullua nga grupimi më i madh i Parlamentit Evropian, për shkak të shqetësimeve për nivelin e sundimit të ligjit në Hungari si dhe sulmeve të zyrtarëve hungarezë ndaj Komisionit Evropian.
Disa parti, kryesisht nga vendet nordike, që i përkasin EPP-së donin ta nxirrnin plotësisht Fidesz-in nga grupimi parlamentar, por megjithatë shumica ishte në favor të një pezullimi tjetër, pa afat kohor.
Vendimi mund të rishikohet përsëri në muajin prill.
Masa do të thotë që partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, vazhdon të mos ketë të drejtë votimi në grup dhe nuk merr më pjesë në asnjë mbledhje.
Disa burime brenda EPP-së i thanë Radion Evropa e Lirë, se anëtarët e këtij grupimi politik kanë qenë të ndarë, ndërmjet atyre që e përkrahnin një përjashtim të plotë të partisë së Orbanit. Sipas këtyre burimeve, përmes masës së pezullimit, synohet që partia Orbanit të detyrohet të ulë nivelin e kritikave ndaj BE-së dhe të ndërmarrë reforma në sundimin e ligjit, ose të dalë vullnetarisht nga ky grupim politik dhe t’i bashkohet ndonjë grupimi tjetër në Parlamentin Evropian.
Fraksion.com