AktualitetBota+Të fundit

OBSH: Koronavirusi nuk është ende pandemi

Përhapja vdekjeprurëse e koronavirusit që është shfaqur fillimisht në Kinë, nuk përbën ende “pandemi”, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sylvie Briand, udhëheqëse e Përgatitjeve ndaj Rrezikut Infektiv, pranë OBSH-së, tha se është e rëndësishme të trajtohen thashethemet e pabazuara rreth virusit.

Sipas OBSH-së, pandemia është përhapja e një sëmundjeje të re në gjithë botën.

Numri i njerëzve të vdekur nga koronavirusi i ri ka arritur tashmë në 425, ndërsa mbi 20,000 raste të prekura nga ai janë konfirmuar në 26 vende të botës.

Sipas zyrtarëve, 423 njerëz kanë vdekur në Kinë dhe një në Hong Kong.

Një i vdekur është konfirmuar edhe në Filipine.

Autoritetet e Kinës kanë pranuar se ka pasur mangësi në reagimin e tyre ndaj sëmundjes, e cila besohet se e ka origjinën në qytetin Vuhan të provincës Hubei.

Komiteti i Përhershëm i Politikëbërjes në Kinë ka bërë thirrje të martën për “përmirësimin e sistemit të menaxhimit të emergjencës”.

Koronavirusi në Kinë, që është një familje e virueseve, është identifikuar si 2019-nCOV.

Ai shkakton ethe, kollitje, gulçimë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, mund të çojë në pneumoni, dështim të veshkave e madje edhe vdekje.

 

Fraksion.com