AktualitetKosovaTë fundit

Kurti thotë se në qeverinë e tij nuk do të ketë politika partiake

Pas një rrugëtimi prej 23 vjetëve, fillimisht si aktivist politik e më pas edhe si kryetar i subjektit opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë edhe zyrtarisht pozitën e kryeministrit të Kosovës. Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, Kurti u nominua dhe më pas u zgjodh kryeministër i Kosovës, me mbështetjen e partisë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është pritur nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku është intonuar himni i Kosovës.

Në mungesë të kryeministrit të deritashëm, Ramush Haradinaj, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detyrën atij ia dorëzoi ish-zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.

Pacolli gjatë fjalimit me Kurtin, tha se “Kosovën e presin sfida të mëdha”.

Pas ceremonisë së pranimit të detyrës, Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë të qeverisë së tij, ku iu drejtua ministrave me porosinë se “sytë e popullit janë të drejtuar te ky kabinet qeverisës”.

“Është mirë që secili ta mësojë përmendesh programin qeverisës sepse me të do të flemë e do të zgjohemi”, theksoi ai, duke u kërkuar ministrave që të mos udhëheqin nga karriget, por të dalin në terren dhe të ndikojnë në ndryshimet e nevojshme që kërkohen.

Ai kishte edhe disa porosi për ministrat e caktuar të kabinetit. Ministri i Bujqësisë, tha Kurti, “duhet të rrinë më shumë me fermerë e bujq sesa në zyre”. Po ashtu, vazhdoi ai, “ministri i Shëndetësie duhet të rrinë më shumë me doktorë e pacientë sesa në qeveri e ministri”.

Kurti tha se ky është një rast unik për secilin ministër për të treguar shkathtësi e përkushtim.

“Njëqind ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur që më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi ynë qeverisës është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve”, tha Kurti.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 3 shkurt. Ai drejton qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Qeveria Kurti ka 15 ministri, prej të cilave nga gjashtë (6) ministri udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, kurse tri (3) ministri nga komunitetet pakicë.

Kurti tha se në qeveri, nuk ka Vetëvendosje e LDK, por ka vetëm Qeveri të Republikës së Kosovës. Kurse në kuvend, tha ai, ka parti politike që flasin në emër të subjekteve që përfaqësojnë.

Pikërisht në Kuvendin e Kosovës, mbi bazën e koalicionit Vetëvendosje -LDK, kryetarja e sapozgjedhur, Vjosa Osmani, ka nisur punën duke pritur si mysafir të parë, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Pas këtij takimin nuk ka pasur ndonjë deklarim, por Vjosa Osmani në momentin e pritje se ambasadori tha se “është kënaqësi e madhe të nisi punën si kryetare e kuvendit në takimin e parë me ambasadorin amerikan”.

“Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ekzistenciale për Kosovën”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka uruar formimin e qeverisë dhe institucioneve të reja të Kosovës duke theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin si dhe për të ndihmuar ndërtimin e një marrëdhënie paqësore me fqinjët./REL

 

Fraksion.com