AktualitetNATO/BETë fundit

DW: BE kërkon, Johnsoni refuzon

Pozicionet e BE-së dhe Britanisë së Madhe përpara negociatave të ardhshme për një marrëveshje nuk mund të jenë më të ndryshme: BE vendos kushte, Johnson nuk dëshiron as të dëgjojë për to.

As katër ditë nuk janë mbushur që kur Britania e Madhe ka dalë nga BE – dhe tensionet mes Londrës dhe Brukselit po rriten përsëri. Sepse kohë nuk ka: të dyja palët duhet të kthehen shpejt në tryezën e bisedimeve në mënyrë që t’i fiksojnë në kontrata dhe marrëveshje marrëdhëniet e ardhshme me njëri-tjetrin.

Një gjë tashmë është e qartë: marrëveshjet i duan të dy. Vetëm përfytyrimet për atë se ç’pamje duhet të ketë marrëveshja janë të ndryshme. Duhet të jetë një “marrëveshje ambicioze tregtare”, tha Michel Barnier, kryenegociatori i BE, i cili luajti një rol udhëheqës edhe në marrëveshjen e Brexit për Brukselin.

Standardet e BE duhet të vazhdojë të zbatohen

Pjesa e parë e ideve të Barnierit duhet t’i pëlqejë qeverisë britanike: BE “nuk kërkon dogana dhe kuota të importit për të gjitha mallrat” që eksportohen nga Mbretëria e Bashkuar në tregun e përbashkët evropian. Por më pas u shtuan disa “nëse” dhe “por”, të cilat nuk duhet t’i pëlqejnë aspak kryeministrit britanik Boris Johnson.

Sepse BE e lidh me kushte qasjen e gjerë në tregun e brendshëm: Barnier kërkoi që Britania e Madhe të zhvillojë një “konkurrencë të hapur dhe të drejtë” në të ardhmen – dhe kjo do të thotë që Londra të vazhdojë t’u përmbahet standardeve të përcaktuara nga BE, qoftë në tregti, në politikën ndaj klimës ose në atë tatimore. Për këtë duhet të ketë “garanci efektive”.

Barnieri kërkon qasje në ujërat britanike për peshkim

Dhe kushti i dytë: lejimi i aksesit për BE në ujërat britanike dhe në tregun britanik, për të pasur mundësi që BE të ofrojë produktet e tij atje. Barnieri përfytyron një “akses të ndërsjellë bazuar në kuota”.

Por megjithë qasjet dhe marrëveshjet e mundshme, Barnieri e paralajmëroi ekonominë evropiane se nuk do të ketë “biznes si zakonisht” me Britaninë e Madhe. Në të ardhmen, bëhet fjalë për “dy tregje të ndara” dhe në këtë mënyrë janë të pashmangshme rregullat për përcaktimet e origjinës së mallrave dhe disa formalitete doganore.

Brexit-Vertrag im Europaparlament gebilligt (picture-alliance/dpa/M. Kappeler)

Edhe shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, theksoi sërish: “Nuk do të ketë biletë falas për tregun e brendshëm, vetëm të drejta dhe detyrime”. Ajo tha se është një “çështje korrektësie” që Britania e Madhe t’u përmbahet këtyre rregullave.

Marrëveshje për qiellin, tregtinë dhe ujin

Menjëherë pasi Barnieri paraqiti në Bruksel qëndrimin e BE doli para shtypit në Londër kryeministri britanik Boris Johnson, për të paraqitur pritjet e tij për muajt e ardhshëm të negociatave. Edhe ai dëshiron marrëveshje, madje disa të tilla: për tregtinë, për transportin ajror – dhe po, edhe për peshkimin. Për të gjitha këto Britania e Madhe është e gatshme. Për marrëveshjen e peshkimit Johnsoni propozoi negociata të përvitshme.

Por pas kësaj, gatishmëria e Johnsonit shpejt arriti në kufijtë e saj. Vërtet që Britania e Madhe synon një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE bazuar në modelin kanadez. Marrëveshja tregtare midis BE dhe Kanadasë përfshin një shkëmbim pa dogana dhe kuota për 98 përqind të mallrave të tregtuara, por gjithashtu përcakton disa standarde të përbashkëta sociale dhe ekologjike. Por për një marrëveshje të tillë ta ngarkojë njeriu veten me rregullat e BE? Johnsoni e kundërshtoi këtë me vendosmëri. Po të jetë e nevojshme, e gjitha do të bëhet edhe pa marrëveshje tregtare:

“Nuk ka asnjë arsye për të kombinuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me pranimin e rregullave të BE për politikën e konkurencës, për subvencionet, të drejtat sociale, për mbrojtjen e mjedisit dhe të ngjashme. Të paktën jo derisa BE-ja të pranojë gjithashtu rregullat britanike “.

BE duhet të pranojë pavarësinë e re britanike

Boris Johnson Rede zu UK-EU Beziehungen nach Brexit (Reuters/F. Augstein)

“Ne nuk i minojmë standardet e BE”, vazhdoi Johnson. Britania do të vazhdojë të “ruajë standardet më të larta në këto fusha, më mirë në shumë mënyra sesa BE – pa imponimin e një marrëveshjeje.” Ekonomia britanike nuk do të përdorë as mjetin e çmimeve të dumpingut.

Po të mos arrihet një marrëveshje si e tipit me Kanadanë, britanikët do të përpiqen për një partneritet më të lirshëm të stilit australian, tha Johnson. Problemi këtu është se BE ende nuk ka një marrëveshje me Australinë. Brukseli dhe Canberra janë ende në negociata. Dhe është e sigurt që pa marrëveshje të tipit të Kanadasë, do të ketë tarifa dhe kuota për tregtinë me Britaninë e Madhe.

“A këmbëngulim ne që BE të bëjë gjithçka që bëjmë ne, si çmim të tregtisë së lirë? Jo, nuk e bëjmë këtë,” tha Johnsoni. BE duhet të pranojë pavarësinë e re dhe sovranitetin e plotë të Britanisë. Dhe Mbretëria e Bashkuar nuk është e detyruar të lidhet me BE përmes marrëveshjeve. Johnson tha se ai kishte edhe mundësi të tjera: ai gjithashtu po përpiqej për një marrëveshje me Australinë dhe me Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, ata së pari duhet të heqin doganat ndaj uiskit skocez.

Britania u largua nga BE të shtunën në mbrëmje. Deri në fund të vitit 2020 do të ketë një fazë tranzicioni, në të cilën të dy palët duhet të negociojnë marrëdhëniet e tyre të ardhshme. Koha konsiderohet jashtëzakonisht e shkurtër. Nëse qeveria britanike dhe BE nuk do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje në muajt e ardhshëm, kërcënon sërish një i ashtuquajtur skenar pa marrëveshje dhe në fund të fundit një Brexit i ashpër.

 

Fraksion.com