Cakaj uron Konjufcën në telefon: Gatishmëri të ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dy vendeve
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka deklaruar se është koha për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai thekson se, nëpërmjet një bisede telefonike ka uruar Ministrin e ri të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, për detyrën e tij të re.
“Kemi shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dy vendeve, Kosovës e Shqipërisë”, ka theksuar Cakaj.
“Në të njejtën kohë, dua të falënderoj nga zemra tashmë ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për sjelljen shumë bashkëpunuese e korrekte e kontributin e tij të vyer për shqiptarët kudo ndodhen”, ka shtuar ai.
“Pacolli ka bërë një punë të palodhshme për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës dhe ruajtjes së njohjeve ekzistuese. Për më shumë, ai ka punuar me përkushtim për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona”, është shprehur Cakaj.
Në këtë kontekst, ka vijuar Cakaj, “mes shumë të tjerash, Pacollit i mbetem edhe tepër mirënjohës për përgjigjen pozitive të kërkesës sonë për t’i siguruar Shqipërisë qasjen në hapësirat e konsullatave të Republikës së Kosovës në Malmo, Dyseldorf, Stuttgard, Hamburg e Toronto”.
Fraksion.com