Vrau me thikë bashkëshorten; Lulzim Çoku: Ajo fuste në shtëpi njerëz të panjohur
Lulzim Çuku, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Durrës që akuzohet se mori jetën e bashkëshortes 33-vjeçare ka rrëfyer në polici se si ndodhi krimi.
Ai u vetëdorëzua duke thënë se ishte penduar, duke shtuar se kishte dyshime që gruaja e tradhtonte dhe konfrontimi i debatit për arsye xhelozie e bëri të merrte thikën dhe ta qëllonte për vdekje.
“Jam penduar shumë për veprimin tim. Nuk duhet të kishte ndodhur kjo, nuk duhet të kisha qëlluar mbi Manjolën.
Fëmijët e mi ngelën rrugëve tani. Jam shumë i dëshpëruar. Tentova disa herë të vetëvritesha, por nuk ia dola.
Sherri i fundit ndodhi pasi prej kohësh kishim debate. Kisha dyshime se ajo fuste njerëz të tjerë në shtëpinë tonë, ndërkohë që unë isha në Greqi. E kishte kthyer shtëpinë në shtëpi publike, fuste brenda lloj-lloj njerëzish aty.
I kërkova të mos e bënte më këtë veprim, por sapo unë ikja në Greqi, më thoshin njerëzit se ajo vazhdonte të fuste njerëz të panjohur në shtëpi. Për këtë arsye u ktheva nga Greqia.
Gjatë kësaj kohe debatonim shpesh. Mbrëmë (parmbrëmë) situata doli jashtë kontrollit dhe unë e qëllova me thikë. Nuk mendova se ka vdekur, pasi e lashë të shtrirë në tokë. Nga mediat e dëgjova që kishte ndërruar jetë. Më vjen shumë keq, sidomos për fëmijët që mbetën në mëshirë të fatit”, ka thënë Lulzim Çuku.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në Xhafzotaj të Durrësit.
45-vjeçari akuzohet se la të vdekur bashkëshorten, duke e goditur 3 herë me thikë, dhe u largua nga vendngjarja, për t’u vënë në pranga disa orë më vonë.
Lulzim Çuku me origjinë nga Dibra, pas krimit makabër u nis fillimisht për t’u strehuar dhe për t’i shpëtuar arrestimit, duke u ndalur në vendlindjen e tij.
Gjatë rrugës teksa po ikte ai duket se është penduar, pasi ka devijuar rrugën nga Skuraj, në drejtim të Dibrës. Aty ai vendosi të vetëdorëzohej në Komisariatin e Burrelit.
Fraksion.com