AktualitetBota+Të fundit

Votimet e demokratëve në Ajova

Demokratët presin pjesëmarrje të lartë sot në votimin e parë brenda partisë për kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara, në shtetin e Ajovas. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, ndërsa shumë votues në Ajova nuk e kanë përcaktuar ende se cili kandidat sipas tyre ka shanset më të mira për të sfiduar Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, ata e mirëpresin vëmendjen ndaj shtetit të tyre në këtë process.

Duket si concert…tingëllon si koncert… të jep ndjesinë e koncertit… por në fakt është një aktivitet fushate për senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili është mes katër kandidatëve demokratë presidencialë, që kryesojnë anketat në Ajova.

Ngado ka pankarta dhe objekte me emrin e tij dhe përkrahës së tij, ajo që bie në sy është mungesa e vetë senatorit Sanders.

Zoti Sanders, ashtu si edhe Amy Klobuchar, Elizabeth Warren dhe Michael Bennet janë njëkohësisht kandidatë dhe senatorë, të cilët kanë sakrifikuar kohë nga fushata në terren në Ajova, pasi u duhej të merrnin pjesë në seancat e gjyqit për shkarkimin e Presidentit Trump në Uashington. Ata u kthyen aty në fundjavë..

“Këtu në Ajova, ne na pëlqen t’i shohim kandidatët, në fakt na pëlqen shumë t’i njohim personalisht. Si këtu, edhe në Nju Hemshër, njerëzit nuk vendosin për një kandidat, pa folur personalisht me ta tre, katër ose pesë herë”, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Ajovas, Timothy Hagle.

Ai shton se kandidatët që nuk kanë arritur të vijnë aq shpesh, janë mbështetur tek figura të tjera të njohura që i mbështesin ata për të inkurajuar votuesit që të marrin pjesë në aktivitetet e lidhura me votimin, ku pjesëmarrja është kyç.

“Duhet të sigurojnë mbështetje 15 për qind, që të kenë shanse reale. Nëse nuk arrihet kjo shifër, duhet të bëjnë një rikonfigurim tjetër”, tha prof. Hagle.

dhe në raundin e dytë, duhet të zgjedhin kandidat tjetër”.

Profesor David Skidmore i Universitetit Drake nuk e pati të lehtë të bënte zgjedhjen e parë: senatoren nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren. Ai nuk është i sigurt për zgjedhjen e dytë.

“Shumë njerëz kanë qenë të pavendosur ndoshta deri sot”, thotë ai.

Për këtë arsye, takimi personalisht me sa më shumë votues në Ajova është vendimtar për kandidatët në një garë, që sipas sondazheve është e ngushtë dhe ku kryesojnë senatorët Sanders dhe Warren, ish-nënpresidenti Joe Biden dhe ish-kryebashkiaku i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg.

“Është pak stresuese, sepsa ka aq shumë mendime të ndryshme, por mendoj se është e shëndetshme përsa kohë që askush nuk e humb qetësinë gjatë procesit. Është një përvojë e mirë”, thotë votuesja Aubrey Christensen.

Aubrey Christensen mbështet Bernie Sandersin, dhe është krenare për rolin e Ajovas në përcaktimin e kandidatit presidencial demokrat.

“Është vërtet interesante që Ajova është në qendër të vëmendjes, se zakonisht shteti ynë anashkalohet”, thotë ajo.

“Mendoj se është diçka e mirë që njerëzit e Ajovas thonë fjalën e tyre. E di që jemi në pjesën qendrore dhe njerëzit mendojnë për ne si një shtet i misrit dhe fermerëve, por ne kemi zërin tonë dhe do ta ngremë atë”, thotë votuesi Thomas Walker.

“Ne jemi shteti më me përvojë në fillimin e procesit. Jemi një shtet që e kupton dhe vlerëson politikën e vërtetë. Jemi një shtet që e kupton që puna jonë nuk është thjesht të zgjedhim ‘fituesin’, puna jonë është që ta reduktojmë numrin e kandidatëve, në mënyrë që vendi të ketë më pak kandidatë për të cilët të zgjedhë, por që ata të jenë më të mirët, në mëmyrë që të fillojë procesi i elimiminit”, thotë Tom Vilsack, ish-guvernator i Ajovas dhe Sekretar i Bujqësisë.

Është një proces që nuk ngadalësohet kur shpallet fituesi në Ajova. Vëmendja pastaj drejtohet tek Nju Hampshër, ku bëhet votimi brenda partisë pas një jave./VOA

 

Fraksion.com