Vonohet seanca për formimin e Qeverisë Kurti
Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës sot do të votojnë qeverinë e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, koalicion ky që u arrit pas katër muaj negociatash.
Ndonës është paralajmëruar që seanca të filloi në ora 11:00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sidoqoftë, në sallë për momentin janë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton lajmi.net.
Mirëpo pjesa dërrmuese e deputetëve të partive të tjera përfshirë edhe opozitën nuk janë në sallë.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të votojnë qeverinë.
Ndryshe, VV-LDK janë pajtuar që qeveria e re të ketë 15 ministri, duke bërë që secila prej tyre të udhëheqë me nga gjashtë ministri, posti i kryeministrit t’i takojë Vetëvendosjes, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa tri ministri do t’iu takojnë minoriteteve.
Sa i përket postit të presidentit, e cila ka qenë temë e nxehtë e negociatave të deritanishme, LVV dhe LDK kanë vendosur që kjo çështje të mbetet për t’u diskutuar më vonë.
Glauk Konjufca i cili aktualisht mban pozitën e kryetarit të Kuvendit pritet që të japë dorëheqje dhe të emërohet ministër i Punëve të Jashtme.
Nga VV, ministra do të jenë edhe Albulena Haxhiu që do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, pastaj Besnik Bislimi i cili do të udhëheqë me Ministrinë e Financave, Rozeta Hajdari pritet të emërohet ministre e Ekonomisë, Arben Vitia do të jetë ministër i Shëndetësisë ndërsa Blerim Reka do të jetë ministër i Integrimeve Evropiane.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me 6 ministri, ku Agim Veliu pritet të jetë në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Lumir Abdixhiku do të jetë ministër i Infrastrukturës, Besian Mustafa pritet t’i besohet Ministria e Bujqësisë, Hykmete Bajrami do të udhëheqë me Ministrinë e Arsimit, Vlora Durmoshi me atë të Kulturës, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të udhëhiqet nga Anton Quni.
Qeveria do të ketë dy zëvendëskryeministra, i pari do të jenë Avdullah Hoti i LDK-së ndërsa i dyti Haki Abazi i VV-së.Vjosa Osmani pritet të votohet si kryeparlamentare, ndërsa tri ministri do t’i takojnë minoriteteve.
Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i bije që së paku duhet t’i ketë 61 vota.
Në Kushtetutën e Kosovës, është paraparë edhe procedurat tjera në rast se Qeveria nuk merr shumicën e votave të nevojshme.
“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetutë.
Po ashtu, theksohet se anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit.
Ndërsa, teksti i betimit është i rregulluar me ligj. Kushtetua ka paraparë edhe ministritë dhe përfaqësimin e minoriteteve.
Në zgjedhjet e tetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 29 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 28. /Lajmi.net