Të mërkurën votimi në gjyqin ndaj Presidentit Trump në Senat
Në Uashington, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që kanë ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump dhe ekipi mbrojtës i presidentit po paraqesin argumentet e tyre të mbylljes.
Në gjyqin që po zhvillohet në senat rezultati përfundimtar duket i sigurt, pasi republikanët kanë aty shumicën me 53 vende kundrejt 47 që kanë demokratët dhe nuk ka shenja që ndonjë senator i shumicës të votojë pro shkarkimit të presidentit Trump.
Demokratët vazhdojnë të argumentojnë se Presidenti Trump shpërdoroi pushtetin duke i kërkuar Ukrainës të niste hetime që do t’i jepnin atij avantazh politik, dhe se ai e pengoi Kongresin duke i udhëzuar anëtarët e administratës së tij që të mos dorëzonin dokumente dhe dëshmi gjatë hetimeve.
Secila palë do të ketë dy orë për paraqitjen e argumenteve të mbylljes.
Avokatët e Presidentit Trump, dhe vetë ai, argumentojnë se ai nuk bëri asgjë të gabuar dhe se veprimet e tij nuk ngrihen në nivelin e një vepre që të justifikojë shkarkimin.
Senatorët kryesorë republikanë thanë se kërkesa e presidentit Trump për Ukrainën ishte e gabuar, por jo e tillë që të justifikonte akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Votimi përfundimtar në Senat pritet të mërkurën.
Fraksion.com