AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja kërkon “garanci” nga talibanët para arritjes së marrëveshjes

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka kërkuar “të dhëna të verifikueshme” nga talibanët se do të ulet niveli i dhunës në Afganistan, para se të nënshkruhet marrëveshja, e cila do të rezultonte me bisedime paqësore dhe tërheqje të trupave amerikane nga ky shtet.

Pompeo ka thënë në një konferencë për media në Uzbekistan se arritja e marrëveshjes është afër, ndonëse ata kanë qenë të gatshëm për të arritur në këtë pikë edhe më herët, mirëpo kanë dështuar sepse talibanët nuk kanë qenë seriozë për paqen.

“Ne jemi duke punuar në planin për paqe, duke vënë pika në vendin e duhur dhe duke krijuar fjalitë e duhura”, ka thënë Pompeo.

“Ajo çfarë jemi duke kërkuar tani është ofrimi i të dhënave të verifikueshme për ulje të dhunës dhe kërcënimit, ashtu që të kemi më pak dhunë. Ne besojmë se mund ta arrijmë këtë gjë, mirëpo nuk kemi arritur ende aty, andaj po vazhdojmë të punojmë”, ka thënë mes tjerash ai.

Deklaratat e Pompeos ka ardhur dy ditë pasi i dërguari i Shteteve të Bashkuara për bisedime të paqes në Afganistan, Zalmay Khalilzad, i ka thënë presidentit afgan, Ashraf Ghani se “nuk është arritur përparim i duhur” në bisedimet me talibanët.

Megjithatë, Khalilzad ka thënë se shpreson që marrëveshja do të arrihet, pa ofruar ndonjë datë.

Ai ka zhvilluar disa raunde bisedimesh me talibanët në Katar, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

 

Fraksion.com