Pas takimit ata mbajtën një konferecë të përbashkët pë shtypin, ku z Rama  informoi mediet se me z.Sassoli diskutoi për reformat e kryera nga qeveria që ai drejton e në veçanti për paketën Anti-KÇK.

“Sot jam këtu së bashku me Presidentin e PE, David Sassoli i cili përvecse një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel, mund të them se është një mik i kahershëm i Shqipërisë, dhe mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimin e integrimit të plotë të Shqipërisë  në BE. Dua të theksoj se ka qënë për disa vite kryetar i grupit të miqve të Shqipërisë në PE, me një kontribut shumë të vyer në përpjekjen për të formësuar një imazh të vërtetë të Shqipërisë duke u munduar në një luftë të vazhdueshme me paragjykime, me ato c’ka jemi mësuar për vite me radhë, të përsëritura nga njerëz që nuk e njohin Shqipërinë, por e përdorin për axhendat e tyre politike.

Kemi diskutuar hapur, është një mik i mirë, por jo symbyllur dhe si mik, ka shprehur gjithë opinionet e tij, pozitive apo kritike, për c’ka kemi bërë e c’duhet të bëjmë. Kemi patur në qendër të diskutimit procesin e integrimit, datat e reja, dhe në funksion të këtij diskutimi,  kemi folur në mënyrë shteruese për ligjin special Anti-KÇK. Më vjen mirë që vizita e Presidentit sot përkon me operacionin e parë në terren të forcës së ligjit, që besoj shumë do të përcojë një mesazh të qartë me fakte e jo me fjalë mbi sa seriozë e të vendosur jemi për të ndryshuar rrënjësisht këtë vend.” u shpreh Rama.

Nga ana tij Sassoli tha se është shumë i kënaqur për hapat përpara që po bën Shqipëria, pasi e ka parë zhgënjimin e shqiptarëve.

“Ndodhi një ngadalësim përpara fundit të vitit, po procesi i anëtarësimit duhet të fillojë, është i bindur për këtë PE dhe janë edhe shumë vende anëtare. Kjo është vetëm një vonesë, por që po mbushet me nisma të mëdha nga ana e qeverisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe të tjera, janë nisma që jo vetëm i mbështesin, por janë të domosdoshme. Kemi parë si ka rifilluar dialogu për të pasur konsensusin e nevojshëm për procesin e anëtarësimit”, u shpreh Sassoli.

Presidenti i PE tha se duhen kapërcyer disa pyetje që i janë bërë Shqipërisë dhe se është koha e duhur për tu përgjigjur dhe për ti bindur të gjithë për atë rrugë që duhet bërë së bashku, duke nënvizuar se e ardhmja është e përbashkët dhe se po punohet për hapjen e negociatave.

Lidhur me pasojat e tërmetit ai tha se BE u tregua e gatshme me ndihmat, dhe se nuk do tërhiqet deri në rimëkëmbje.

Sa i takon paketës “anti-KÇK”, deklaroi se do të shtojë sigurinë për Shqipërinë.

“Kemi një të ardhme drejt së cilës duhet të shkojmë së bashku, Është shumë e reëndësishme për PE të ketë vëmendje ndaj Shqipërisë, i cili është një vend shumë i rëndësishëm në zemër të Ballkanit Perëndimor. Ne nuk duam të tërhiqemi përballë rolit tonë si Parlament Europian dhe dialogu me vendet e tjera duhet të jetë gjithmonë i hapur. Ka dy sfida, Europa i ka vënë vetes një objektiv ambicioz me marrëveshjen e gjelbër dhe të gjitha axhendat po drejtohen drejt saj për të ndikuar në ndryshimet klimatike”, tha Sassoli.