Gjendet i vdekur në burgun e Peqinit; Kush është i dënuari me burgim të përjetshëm
Andon Mëhillaj, i dënuar me burgim të përjetshëm u gjet i vdekur në orët e vona të mbrëmjes së të dielës, në burgun e Peqinit, ku vuante dënimin.
Paraprakisht dyshohet për vdekje për shkaqe natyrale, mirëpo familjarët e tij, hedhin dyshime të tjera.
Ata dyshojnë se të riun mund ta kenë helmuar në burg, teksa pritet përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore.
Andon Mëhillaj njihet si pjesë e bandës së tritolit, i cili porosiste vrasje. Ai u shpall fajtor i akuzuar se bashkë me kushëririn e tij Genis Mëhillaj, kanë porositur vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës. Pjesë e bandës i paguar për krimet u dënua edhe Julian Sinanaj.
Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte çmimin mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit.
Bashkë me kushëririn Genis Mëhillaj ata merrnin porosi për krime nga biznesmenë të fuqishëm dhe për këto krime paguheshin me 20-30 mijë euro, ndërkohë që “këmbëza” ishte Sinanaj.
Andon Mëhillaj, i cili në rrethana ende të paqarta u gjet i pajetë në burgun e Peqinit, ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për një serë veprash penale.
I riu ishte pjesë e bandës së Julian Sinanajt. Në 2014-ën ai u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqë, pas të cilës fshihen disa vrasje dhe jo vetëm.
Fraksion.com