AktualitetPolitikëTë fundit

“Antisemizmi”; Rama: Shqipëria ka shumë për t’i treguar vendeve të OSBE-së në lidhje me vlerat dhe njerëzit që shpëtuan hebrenjtë

Kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur nëpërmjet një videomesazhi, Konferencën Ndërkombëtare të organizuar në Tiranë nga kryesia shqiptare e OSBE-së mbi luftën kundër Antisemitizmit, duke risjellë në vëmendje angazhimin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti.
“Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe t’ju kërkoj ndjesë për shkak të vizitës sime për në SHBA të planifikuar në rolin e Presidencës së OSBE-së. Si gjithë pjesa tjetër e botës ne përkujtuam javën e kaluar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit. Në këtë 75-vjetor të çlirimit të Aushvicit, si një shtet me një histori të lavdishme të Shpëtimit të Hebrenjve, ne po riangazhohemi për tu bashkuar me nismën “Kurrë më” me dëshmitarin e fundit okular të gjeneratës”, – tha Rama.
Kjo është thënë mjaft, por megjithëse, vijoi ai, kanë kaluar 20 vjet që kur hyri shekulli i ri, antisemitizmi vazhdon të mbijetojë në rajonin e OSBE-së.
“Me një ndjesi akute turpi, kuptojmë që mësimet që na ka dhënë historia dhe personalisht të mbijetuarit mbi këtë faqe të errët të historisë ende nuk i kemi mësuar. Prandaj doja të mblidheshim në Tiranë: për ta thënë me zë të lartë dhe për të rinovuar vigjilencën tonë në këtë luftë kundër tërë llojeve të antisemitizmit, jo vetëm për të mbrojtur faktet historike nga relativizmi gjithmonë e më i turpshëm, por edhe për të mbrojtur fëmijët tanë nga përsëritja e historisë”, – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa theksoi gjatë fjalës së tij, “vigjilencë, sepse e keqja e antisemitizmit nuk është mundur ende. Vigjilencë, sepse në 2020, ne shohim zgjimin e konsensusit pas Holokaustit. Vigjilencë, sepse antisemitizmi nuk i përket vetëm hebrenjve por tërë qytetërimit tonë në tërësi. Në tërë rajonin e OSBE-së, retorika çnjerëzore e ‘tjetrit’ po normalizohet në debatin publik. Oportunistët politikë po ngrenë një vale të lartë të nxitjes së urrejtjes në mediet sociale”.
“Racizmi dhe mungesa e tolerancës po bëhet gjithmonë e më të dukshme. Për pasojë edhe gjithmonë e më shumë antisemitike. Nëse kjo u drejtohet hebrenjve, mund tu drejtohet myslimanëve, të krishterëve dhe kujtdo tjetër që mund të bëhet shënjestër për format e reja të fashizmit dhe nazizmit. Tani më shumë se kurrë, ne duhet të ripohojmë angazhimin tonë ndaj zero tolerances për çdo lloj antisemitizmi dhe çdo lloj intolerance”- tha Rama.
“Të nderuar të pranishëm! Zonja dhe zotërinj! Konferenca jonë është një thirrje për vigjilencë. Antisemitizmi është një virus. Si të gjitha sëmundjet, antisemitizmi mund të shërohet efektivisht si duke dhënë diagnozën e saktë ashtu edhe duke e trajtuar me seriozitetin e duhur. Shqipëria mund të ndihmojë me shembullin e saj. Faktet bazë flasin vetë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i qëndroi besnik kodit të tij të mikpritjes dhe refuzoi të dorëzonte si shqiptarët ashtu edhe refugjatët hebre te vdekja e tyre e sigurt. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europën e pushtuar nga nazizmi, që kishte më shumë hebrenj para Luftës sesa pas saj. Hebrenjtë po arratiseshin nga shumë vende, por jo nga Shqipëria. Përkundrazi, shumë prej tyre u arratisën për të ardhur në Shqipëri”, – tha ai.
Njerëzit e zakonshëm, u shpreh Kryeministri, në qytetet dhe fshatrat tanë, duke e vënë veten në një rrezik të madh, i dolën në mbrojtje atyre që u kërcënohej jeta. Por ajo që pak e dinë është roli i autoriteteve shqiptare në këtë mision shpëtimi. Gjatë kësaj periudhe, ishin zyrtar shqiptarë ata që dhanë vizat, autorizuan leje qëndrime dhe leje punësimi dhe u dhanë shtetësi shqiptare shtetasve hebrenj, siç ishin edhe klerikët shqiptarë, myslimanë, ortodoksë e katolikë që i mbrojtën ata me çdo kusht.
“Qeveria e para luftës i kishte shtyrë hebrenjtë të qëndronin në Shqipëri, të ndërgjegjshëm që atësitë e tyre, arsimimi dhe burimet e tyre mund të ndërtonin këtë shtet të ri. Deri në shpërthimin e luftës, konsullata shqiptare dhanë viza tranziti për hebrenjtë e Gjermanisë, Austrisë dhe Polonisë, që të mund të arrinin shëndoshë e mirë deri në SHBA, Amerikën e Jugut apo Australi, viza ‘turistike’ dhe për disa dokumente shtetësie. Mes tyre ishte edhe një emër që të gjithë ju e njihni, Albert Einstein. Pastaj arriti pushtimi nazist, periudha më e errët si për komunitetin e vogël të hebrenjve në Shqipëri dhe për shumë të tjerë që gjetën strehë këtu. Kujtojmë me shumë mirënjohje veprimet heroike të shqiptarëve të zakonshëm dhe familjeve të tyre, 75 prej të cilëve janë nderuar për këto në YadVashem”- tha Rama.
Dokumentet nga arkivat tona kombëtare, nënvizoi kreu i qeverisë, kanë nënvizuar edhe borxhin që i kemi zyrtarëve shqiptarë që penguan lojën burokratike të makinës së vdekjes naziste. Një nga këto dokumente përmbledh politikën e qeverisë kukull të Shqipërisë: “Këta janë hebrenj me kombësi shqiptare, ose ata që qeveria shqiptare u ka dhënë prej kohësh të drejtë azili. Të dyja këto kategori janë përgjegjësia e autoriteteve shqiptare.
”Refuzimi i tyre i vazhdueshëm për të dorëzuar listën e hebrenjve te pushtuesit i vunë kyçin mekanizmit të dëbimit dhe vdekjes. Përvoja shqiptare tregon që mund ta mundim antisemitizmin vetëm kur: 1. njerëzit tregojnë solidaritet dhe humanitet, jo indiferencë
2. zyrtarët shtetërore dhe publik jo vetëm respektojnë por mbrojnë dhe promovojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Këto janë shtyllat kryesore të qasjes së OSBE-së ndaj antisemitizmit”, – tha Rama.
Nga njëra anë, vijoi ai, ne na është dashur të dyfishojmë përpjekjet tona për të ushqyer një kulturë të të përbashkëtave tona si racë njerëzore, një kulturë që nuk sillet çnjerëzisht, që refuzon ta shohë të huajin, atë që ka një fe apo etni të ndryshme, si ‘tjetrin’.
“Kjo qasje ka nevojë për angazhim të vazhdueshëm e të palëkundur ndaj edukimit, ndaj mësimit të leksioneve që na dha Holokausti dhe ndaj përfshirjes në çdo nivel në shoqëritë tona. Ne, shtetet anëtare të OSBE-së, duhet të garantojmë që hebrenjtë dhe minoritetet e tjera janë të mbrojtura nga rreziku, urrejtja dhe diskriminimi. Gjithashtu duhet të garantojmë që të drejtat themelore të gdhendura në kushtetutat dhe ligjet tona jo vetëm mbrohen, por zbatohen plotësisht nga zyrtarët dhe qytetarët tanë, edhe kur përballemi me presione politike apo oportunizma elektorale”, – theksoi Kryeministri.
Sipas tij, lufta ndaj antisemitizmit dhe çdo lloj forme tjetër të racizmit nuk është vetëm çështje vullneti. Kjo luftë kërkon veprim aktiv nga qeveritë për të adresuar shqetësimet e menjëhershme mbi sigurinë fizike, për të mundësuar masa efektive kundër fjalëve që nxisin urrejtje. Dhe, kërkon masa të matura për të luftuar nxitjen e urrejtjes nëpërmjet internetit. Në zbatimin e angazhimeve tona të OSBE-së, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për edukimin, si për edukimin lidhur me Holokaustin dhe Judaizmin, ashtu edhe për historinë e gjatë të hebrenjve të Europës.
“Por siç tregon përvoja shqiptare, lufta kundër antisemitizmit kërkon edhe solidaritet nga secili prej nesh. Nëse e kemi seriozisht kur themi “Kurrë më”, secili prej nesh duhet të ngrihet kundër çdo shenje të antisemitizmit kudo dhe kurdo shfaqen ato: në shkollat tonë, në familjet tona, në rrugët tona dhe mbi të gjitha në internet.
Faleminderit që keni ardhur dhe mos e lini këtë betejë për hir të atyre që vdiqën, për ata që meritojnë një botë më të mirë dhe për ata që do të vinë në këtë botë ku misioni dhe nderi ynë është të pastrojmë më tej nga ndyrësitë dhe të ndyrët”, – përfundoi fjalën e tij Kryeministri Rama.

Fraksion.com