AktualitetTë fundit

“Anti- KÇK”; Gjonaj: Çon në një nivel më të lartë luftën kundër krimit të organizuar

Në një intervistë televizive ministrja Etilda Gjonaj theksoi se “paketa “Anti KÇK”, si një akt normativ që u miratua së fundmi, vjen si një angazhim për ta çuar në një nivel më të lartë luftën kundër krimit të organizuar. Jo vetëm në goditjen e subjekteve por edhe të pasurisë së tyre. Ky akt normativ, si një vullnet i Qeverisë dhe angazhimit të të gjithë strukturave, do të rris presionin për luftën kundër krimit të organizuar përmes masave konkrete. Masat parandaluese, ndaj subjekteve që janë në proces për vepra penale të krimit të organizuar, organizatave kriminale etj.”

Gjonaj nënvizoi faktin se, “akti normativ për masat parandaluese në luftën kundër krimit të organizuar, ka të bëjë me nevojën dhe situatën në të cilën ndodhemi sot. Të ndodhur në procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi ku padyshim ndikon edhe procesi i Vetingut, ka prokurorë që duan ta shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore për të shkelur ligjin dhe kjo është arsyeja që e bën më emergjente miratimin e këtij akti normativ për të përshkallëzuar luftën kundër krimit”.

Roli i policisë nuk ka asnjë mbivendosje me veprimtarinë që ka SPAK.

“Policia ka vetëm masat parandaluese. Nuk ka lidhje me rastet kur ka një proces penal. Nuk mbivendoset në asnjë moment karakteri i kompetencës së SPAK me veprimtarinë paraprake, parandaluese që do ketë policia”- u shpreh Gjonaj.

Gjonaj theksoi se, Qeveria është e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit dhe ka marrë të gjitha masat dhe format më ekstreme.

 

Fraksion.com