AktualitetPolitikëTë fundit

“Anti-KÇK”; Deputetja Felaj sqaron paketën: Policia ndërhyn te “kokat” e bandave pa urdhër të prokurorit

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, mbi pakten “anti-KÇK”, hodhi poshtë akuzat se Akti Normativ shkel Kushtetutën, duke thënë se ai nuk përmban asgjë të panjohur, por çdo gjë që shkruhet në të, merr shkas nga parimet.

Felaj sqaroi se çdo veprim i policisë, në goditjen e kokave të krimit dhe pasurive të tyre të paligjshme, do të pasohet nga kërkesa te prokurori e gjyqtari.

“Akti Normativ është një instrument në duart e qeverisë, është një ligj që e ka filluar tashmë veprimin e vet. Gjithçka në thelbin e këtij akti normativ nuk është e panjohur, përkundrazi çdo gjë që shkruhet aty merr shkas nga parime”, theksoi Ermonela Felaj.

“Po ta shihni Aktin Normativ, çdo veprim i policisë është i pasuar nga kërkesa te prokurori dhe më andej te gjykatësi. Edhe kur policia gjyqësore vepron me iniciativë, nuk është e panjohur. Policia gjyqësore ndalon pa pritur urdhrin e prokurorit, sekuestron, kontrollon banesën e personin, të gjitha pa urdhër prokurori, kur situata paraqitet e ngutshme. Por, të gjitha këto veprime më andej kontrollohen nga prokurori dhe gjykatësi. Policia Gjyqësore vepron me iniciativë. Këtë e përcakton edhe ligji i vjetër”.

Hipoteza që dikush, që do vihet nën efektin e zbatimit të masave parandaluese, qofshin me karakter personal apo pasuror, dikush do ketë të drejtën të dëgjohet nga një gjykatës, – theksoi ajo.

“Në rastin kur merren masa me karakter pasuror, është një lloj procedure tjetër, që është e ngjashme me atë të Anti-Mafias dhe që barra i takon personit, për të justifikuar pasurinë e tij. Akti Normativ riafirmon veprime të policisë, atribute të policisë, prokurorisë e gjykatës por në rastin konkret vendoset fokus në kryerjen e atyre veprimeve që bëjnë të mundur luftën kundër krimeve, grupeve kriminale”.

“Pra, bëhet fjalë për një katalog krimesh të rënda. Hetimi pasuror që zhvillohet sot 11 vite, është një hetim që nuk kërkon detyrimisht që dikush të jetë i dënuar. Hetimi pasuror presupozon vendosjen e masave pasurore të sekuestrimit dhe konfiskimit, për sa kohë nuk vërtetohet ligjshmëria”, tha Felaj, e ftuar në emisionin “Real Story”, në News24.

Ndërkohë, e pyetur se pse duhej një ligj i ri, kur po zbatohet Reforma në Drejtësi dhe Vettingu, Felaj sqaroi se “Vazhdimisht është ndërhyrë në legjislacion për të përmirësuar gjërat dhe për t’iu rritur fuqinë organeve të caktuara. SPAK të gjithë punën e tij do duhet ta zhvillojë me BKH, që nuk është ngritur akoma. Në kushtet kur Reforma në Drejtësi, si një reformë madhore, bëri që në sistem të krijohen boshllëqe, pikërisht për këto pjesë, dhe për të siguruar që pasuria e vendosur në sajë të krimit të mos vijojë më tej, ndërmerret ky akt normativ”.

 

Fraksion.com