AktualitetPolitikëTë fundit

Agjenda; Presidenti i PE-së, Sassoli vizitë në Shqipëri

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli vjen sot në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ai do të qëndrojë në vendin tonë më datën 3 dhe 4 shkurt 2020.

Presidenti i PE-së, Sasoli gjatë vizitës së tij në Tiranë, do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Ruçi dhe drejtuesit e opozitës, Basha e Kryemadhi me të cilët pritet të diskutojë lidhur me situatën politike në vend dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Para mbërritjes, Sassoli ka bërë një postim në Twitter ku sjell një video-mesazh dedikuar negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Në mesazhin e tij, Sassoli i kërkoi të rinjve që të mos e humbasin shpresën pasi së bashku do arrijmë të realizojmë që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane.

“Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe pjesa dërrmuese e anëtarëve të shteteve janë në favor për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Dhe ne nuk do të heqim dorë. Ne do të vijojmë të punojmë fort për një votë pozitive. Unë dua të them diçka, sidomos për të rinjtë e Shqipërisë: Ju lutem, mos e humbisni shpresën. Ne duam që të jeni pjesë e kësaj familje europiane. Së bashku ne mund ta realizojmë. Ne duhet të kemi besim dhe të vazhdojmë bashkë në rrugën që keni nisur”, tha David Sassoli.

Videon e shoqëroi me një shkrim ku thoshte se vizita për në Shqipëri i dedikohet solidaritetit pas tërmetit të nëntorit dhe mbështetjes për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.

 

Fraksion.com