Turqia deklaron se nuk ka raste të koronavirusit deri më tani
Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, tha sot se asnjë rast i koronavirusit nuk është gjetur deri më tani në Turqi.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit me komitetin shkencor për virusin, Koca tha se shtetasit turq që duhet të kthehen në shtëpi nga qyteti kinez Wuhan me një aeroplan mallrash, nuk janë diagnostikuar me koronavirusin.
Ai tha se aeroplani do të fluturojë nga kryeqyteti Ankara dhe pas kontrolleve mjekësore, nga qyteti Wuhan do të transportojë 34 shtetas të Turqisë, 7 të Azerbajxhanit, 7 të Gjeorgjisë dhe një të Shqipërisë.
Aeroplani mbart personel mjekësor me përvojë në sëmundje infektive.
Njerëzit e bllokuar në Wuhan do të sillen në Turqi pas kontrolleve të rrepta shëndetësore në kushte të karantinës.
Koronavirusi i ri (2019-nCoV), i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës, thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë sot ka bërë të ditur se nga virusi kanë humbur jetën 213 persona ndërsa janë prekur 9.692 të tjerë nga të cilët 1.527 në gjendje të rëndë.
Virusi ka ngritur alarmin në nivel global me raste të raportuara në Azi, Evropë, SHBA dhe Kanada.
Udhëtarët nga Kina në aeroportet në mbarë botën po skanohen për virusin. Disa linja ajrore, duke përfshirë edhe Turkish Airlines, kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe pjesë tjera të Kinës./AA
Fraksion.com