AktualitetPolitikëTë fundit

Qeveria miraton paketën Anti-KÇK dhe ligjin special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ka kaluar me akt normativ paketa AntiKÇK dhe ligji special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar.

Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur pak momente pas përfundimit të takimit të kreut të qeverisë Edi Rama me ambasadoren e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.

“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koinçidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, ku kaluam paketën AntiKÇK&Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar”, shkruan Rama.

Për 15 ditë parlamenti ka mundësi të rrëzojë këtë akt normativ.

Paketa ligjore Anti-KÇK e hartuar pas konsultimit me ekspertët izraelitë  ka për qëllim goditjen e krimit të organizuar, e për rrjedhojë edhe prokurorët e gjyqtarët e korruptuar që teksa presin të “digjen” në vetting, po i bëjnë favoret e fundit eksponentëve të krimit të organizuar.

Kjo njësi do të hetojë 91 krime të parashikuara në Kodin Penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, terrorizmi, korrupsioni i çdo zyrtari publik e deri tek krimi zgjedhor. Struktura policore ka të drejtë të nisë hetim pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat.

Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.  Do të goditen dhe do të shpallen të paligjshme edhe kalimet fiktive të pasurive tek të afërm apo persona të tretë.

 

Fraksion.com

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com