AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Manastirliu: Forcojmë masat në të gjitha pikat kufitare

Pas shpalljes së emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për koronavirusin, Ministria e Shëndetësisë mblodhi për herë të dytë, Task-forcën, për të përcaktuar edhe masat shtesë për mbrojtjen nga rreziku i këtij virusi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj tha ndër të tjera se vendi ynë do të përforcojë masat të cilat aktualisht janë duke u zbatuar në të gjitha pikat kufitare qofshin këto detare, ajrore apo tokësore.

“Do të doja të informoja se pas vendimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës globale, ne do të rrisim brenda nivelit të planit të veprimit, përforcimin aktiv të survejancës, do të përforcojmë masat për gjurmimet e rastit dhe izolimin e tij. Do të vijojmë të kemi një zhvillim të koordinuar të masave, të ISHP, të ISSHSH, spitalin infektiv në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”, spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, në koordinim dhe bazuar në planet dhe udhëzimet e OBSH dhe gjithashtu edhe në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit. Aktualisht dua të theksoj edhe njëherë që Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda dhe atyre akute në të gjithë vendin. Kemi një sistem të kapjes së hershme të mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. Kemi një laborator të standardizuar në Institutin e Shëndetit Publik në lidhje me vendosjen e diagnozës së infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike”, -tha Manastirliu.

Më tej, ministrja informoi se “të gjitha masat që do të ndërmarrim në raport me shkallën e rrezikshmërisë, në kuadër të situatës dhe bazuar në rekomandimet e OBSH-së, është i nevojshëm që të gjithë strukturat të përforcojnë masat mbi hetimin, gjurmimin në kohë reale të kontakteve dhe menaxhimit të tyre. Të rrisim survejancën aktive përfshirë këtu edhe atë të personave të cilët kanë lidhje me vendet ku qarkullon ky virus. Të rrisim masat për zbulimin e hershëm të rasteve duke njohur sa më mirë shenjat klinike, diagnoza të hershme laboratorike. Të realizojmë izolimin adekuat të rasteve dhe menaxhimit sa më të mirë bazuar mbi udhëzimet e OBSH-së. Gjithashtu, të marrim masa për funksionimin e karantinës nëse do të gjykohet e nevojshme pas analizës rast pas rasti”.

Ministrja iu referua Organizatës Botërore të Shëndetësisë kur tha se nuk do të kufizohet lëvizja e udhëtarëve apo tregtia e mallrave. “OBSH dhe të dhënat që ajo paraqet kanë treguar se kufizimi i lëvizjeve të njerëzve dhe mallrave mund të jetë jo efektiv dhe mund të bëjmë që burimet financiare të kuptohen si investim jo i nevojshëm”.

“E theksoj edhe njëherë, momentalisht ne jemi një vend me një risk të ulët ndaj këtij virusi, por kjo nuk do të thotë që të mos aktivizojmë të gjitha shkallët e rrezikshmërisë, në momentin që do të lindë nevoja. E kemi planin e masave dhe jemi duke e zbatuar atë në të gjitha pikat kufitare, ajror dhe detar.  Do të forcohen në mbështetje të vendimit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, -theksoi Manastirliu.

 

Fraksion.com