AktualitetBota+Të fundit

Huawei vë në rrezik shkëmbimet e informacionit SHBA – Britani

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua ditën e enjte në Londër me Kryeministrin britanik Boris Johnson. Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, gjatë takimit u diskutua ndër të tjera edhe për rëndësinë e ruajtjes së integritetit të rrjeteve të komunikacionit. Sekretari Pomepo ka kritikuar vendimin e Britanisë për të lejuar kompaninë kineze Huawei të ndërtojë pjesë të rrjetit 5G të vendit. Gjatë udhëtimit drejt Londrës, Sekretari Pompeo e quajti kompaninë një “zgjatim të partisë komuniste të Kinës”. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa ligjvënës britanikë mendojnë se ky vendim mund të kompromentojë marrëdhënien transatlantike, në një periudhë kur Britania po përpiqet të ndërtojë lidhje të reja përtej Evropës.

Britania vazhdoi me muaj të tërë debatin nëse duhet të lejonte Huawei-n të bëhej pjesë e rrjetit të saj 5G. Kryeministri Boris Johnson u përpoq të arrinte një kompromis, duke u premtuar ligjvënësve rrugën e mesme.

“Mendoj se është absolutisht jetësore që njerëzit në këtë vend të kenë qasje tek teknologjia më e mirë e disponueshme. Por gjithashtu nuk duhet të bëjmë absolutisht diçka që do të rrezikonte marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara, diçka që do të kompromentonte infrastrukturën tonë jetësore të sigurisë kombëtare”, deklaroi në parlament Kryeministri Johnson.

Huawei do të kufizohet me deri në 35% të tregut të teknologjisë 5G.

Ky vendim është kundër thirrjeve nga Uashingtoni për ta përjashtuar krejtësisht Huawei-n.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve të mërkurën, ndërsa udhëtonte drejt Londrës, se kompania Huawei është një zgjatim i Partisë Komuniste të Kinës. Në Britani, disa frikësohen se ky vendim do të rrezikojë marrëveshjen e ardhshme të tregtisë me Shtetet e Bashkuara.

“Politikanët amerikanë kanë paralajmëruar haptazi gjatë javëve të fundit, por mendoj se kjo furtunë do të kalojë. Nga pikëpamje e Britanisë, ky ka qenë vendim i bazuar mbi aspekte teknike që ka marrë parasysh rreziqet”, thotë James Sullivan, i Institutit të Bashkuar Mbretëror.

Në Kongresin amerikan ekziston dakortësi nga të dyja palët politike.

“Huawei ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Britanikët janë aleatët tanë më të fortë. Duhet ta gjejmë një mënyrë zgjidhjeje. E pranoj që Huawei, megjithëse është rrezik për sigurinë, prodhon paisje shumë më të lira se alternativat perëndimore”, thotë Senatori demokrat, Mark Warner.

Alternativat perëndimore po mbeten pas, thotë eksperti i sigurisë kibernetike Mark Skilton.

“Çështja është nëse vendosni të vazhdojë rritja ekonomike që teknologjia 5G mund të krijojë për shkak të shpejtësisë dhe fuqisë së saj, përballë interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në veçanti për sa i përket dominimit të tregut nga Kina”, thotë eksperti i sigurisë kibernetike, Mark Skilton.

Rrjetet 5G premtojnë t’i transformojnë jetët tona nëpërmjet të ashtuquajturit “internetit të gjërave”. Çdo paisje, që nga frigoferat në shtëpi dhe deri tek infrastruktura e rëndësishme kombëtare do të lidhen përmes rrjeteve me lidhje pothuajse të menjëhershme. Zoti Skilton thotë se kjo do të ofronte më shumë pika për t’u sulmuar.

“Ekziston rreziku që në këto paisje të mbillen viruse apo programe trojane. Nëse përzgjidhet Huawei, ata mund të përfshijnë këto programe survejimi që nuk kapen lehtë”, thotë zoti Skilton.

Bashkimi Evropian miratoi të mërkurën rregulla të ngjashme me ato të Britanisë, duke mos e përjashtuar Huawei-n dhe duke i vendosur kufizime strikte.

Kompania Huawei mirëpriti vendimin e Britanisë dhe këmbëngul se nuk merr udhëra nga qeveria kineze.

 

Fraksion.com