AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadorja Kim: Viti 2020 i rëndësishëm për Shqipërinë, i mbushur me sfida por edhe mundësi

Lufta që Shqipëria duhet të bëjë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosmëria e saj për sundimin e ligjit duket se do të jetë objektivi parësor i ambasadores amerikane Yuri Kim.

Në fjalën e mbajtur të enjten në mbrëmje, në pritjen e mirëseardhjes, ajo theksoi se kjo lidh në mënyrë të pashmangshme tre përparësitë e ambasadës amerikane.

“Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Së dyti theksoi ambasadorja Kim – ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”.

Por sipas ambasadores amerikane, realizimi i tyre kërkon që “Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i reformës në drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë apo vetëm e komunitetit të biznesit. Për partnerët tanë në qeveri: ritheksoj rëndësinë e transparencës dhe të shtetit ligjor”, u shpreh zonja Kim, duke nënvizuar se “pavarësisht nëse është në praktikë apo në perceptim, korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe e pengon të arrijë potencialin e tij të vërtetë.”

Për ambasadoren amerikane “viti 2020 do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, i mbushur me sfida por edhe mundësi. Potenciali për përparim dhe rritje është përpara nesh, nëse udhëheqësit e Shqipërisë mund të bëjnë bashkë vullnetin me, dhe mjeshtërinë për të bërë gjënë e duhur.”

Zonja Kim ju drejtua udhëheqësve shqiptarë “pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo, që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë, duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”.

Ajo përgëzoi më tej marrrëveshjen e arritur mes palëve për reformën zgjedhore. “Shpresoj të ketë edhe shumë shembuj të tjerë të këtij lloj bashkëpunimi përgjatë gjithë vitit”, deklaroi ambasadorja amerikane.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com