AktualitetTë fundit

“Urdhri u dha nga një burg në Ekuador”; Rrëmbimi dhe vrasja: Shqiptari i rrezikshëm ‘truri’ i organizatës kriminale

Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, trupi i të cilin rezulton ende i zhdukur është urdhëruar nga një burg në Ekuador.

Sipas hetimeve, burime bëjnë me dije se urdhri për rrëmbimin e 49-vjeçarit më 17 janar të këtij viti u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin shqiptari Dritan Rexhepaj.

Atje mbahet prej disa vitesh Dritan Rexhepaj (Gramoz Rexhepi apo Lulzim Murataj).

Rexhepaj është një emër i skeduar nga policia, pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë, ndërsa pas krimit u arratis.

Ka qenë pikërisht Rexhepaj ai që ka bërë lidhjen mes grupit kriminal në Britani, ku ka njoftuar për humbjen e ngarkesës prej 300 kg kokainë, për të cilën u fajësua vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga.

Rexhepi mendohet se është “truri” i organizatës kriminale që merrej me trafik droge, i cili bëri bashkë pjesëtarët nga Shijaku me ata nga Shkodra dhe Vlora.

Dyshohet se pengmarrja e Jan Prengës ka ndodhur pasi i vëllai Astrit Prenga i cili jeton në Angli, nuk ka dorëzuar një ngarkesë kokaine.

Të dyshuarit kryesorë janë Alti Hajri nga Shijaku, Dritan Rexhepi nga Vlora dhe M.Bajri nga Shkodra.

Këta emra janë zbuluar bazuar në përgjimet telefonike të familjarëve të Jan Prengës me vëllanë e tij Astritin, i cili duket se është bërë sebep për vrasjen e të vëllait.

Rexhepi, rezulton se monitoron trafikun e kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe si bashkëpunëtorë të tij janë Hajri dhe Bajri.

Dyshohet se babai i pesë fëmijëve, u mor peng për ti bërë shantazh vëllait të tij Astrit Prenga, që të dorëzonte sasinë prej 283 kilogramë kokainë që mbante peng në një port në Angli dhe nuk e kishte dorëzuar në destinacion.

Mirëpo ndërsa gjithçka ishte menduar si formë shantazhi për Astritin, situata iu ka dalë nga kontrolli pengmarrësve, ku Jan Prenga ka gjetur vdekjen nga dhuna dhe tortura e ushtruar ndaj tij.

Jan Prenga, personi i marrë peng më 17 janar në Tiranë, ka hyrë i gjallë në resortin “Golden” në Xhafzotaj të Shijakut. Është kjo ajo që kanë fiksuar kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia, ku rezulton se ai ka hyrë me këmbët e tij.

Ndërsa më tej si pasojë e torturave dhe dhunës së ushtruar, dyshohet se ka gjetur vdekjen.

Kështu rrëmbyesit e tij, e kanë nxjerrë më tej të mbështjellë me qese të zeza, pasi e kishin zhveshur, teksa rrobat mendohet se ia kanë djegur dhe nën akuzën e fshehjes së provave, është i dyshuari i arrestuar gjatë së martës Festim Bexhdili.

Kjo pasi 30-vjeçari është filmuar me një lopatë në dorë, çka ka shtuar dyshimet se ai mund të ketë gisht në groposjen e trupit.

Krahas pesë të arrestuarve, janë edhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim, mes tyre i dyshuari kryesor Altin Hajri, pronari i resortit.

Por nga përgjimet telefonike me familjarët, Astrit Prenga, dëgjohet t’iu kërkojë që të mos flasin me policinë, duke u druajtur për fatin e të vëllait.

Pikërisht gjatë pengmarrjes 49-vjeçarin e kanë rrahur dhe duke e transportuar për në vendin ku do e mbanin peng, në resortin në Xhafzotaj të Shijakut, ka gjetur vdekjen. Pasi situata iu ka dalë nga kontrolli, ata dyshohet se e kanë groposur.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Leonard Hajrit, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë; Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak; Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak dhe 30-vjeçarit Festim Bexhdili.

Gjithashtu, rezulton se personat e dyshuar janë kujdesur për ta fshehur trupin e Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit, teksa resorti “Golden” është vendosur nën sekuestro.

 

Fraksion.com