AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Sekuestrim ose shembje të çdo godine për shkelje të lejes

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend, se ne do ta plotësojmë bazën ligjore për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve edhe si reflektim pas tragjedisë së 26 nëntorit, ndërsa do të ketë përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”, Rama kërkoi përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit.

“Përtej këtij ligji, ajo që dua të nënvizoj është nevoja për të plotësuar këtë bazë edhe si reflektim pas tragjedisë së 26 nëntorit. Këtu kam parasysh reflektimin e atyre që deri dje kanë penguar edhe në këtë sallë atë që duhet të ishte bërë me kohë, përgjegjësinë penale për të gjithë zinxhirin e ndërtimit, dhënien fund të çdo mundësie për t’i larë duart pasi mbushen xhepat me volume të ndërtuara jashtë lejeve të ndërtimit”, – tha Rama.

Rama tha se “ky është fenomeni më i shëmtuar dhe më i rrezikshëm që e ka shoqëruar Shqipërinë në këto 30 vite në aspektin e sigurisë së ndërtimit, cilësisë së hapësirës urbane dhe patjetër dhe shëmtisë që ka karakterizuar në vijim degradimin e procesit nga leja e ndërtimit, deri te zbatimi i saj”.

“Kaq e vërtetë është kjo sa po të bënim një ekspozitë të projekteve që miratohen dhe të projekteve që janë zbatuar në realitet do të kishim dy botë krejt të ndryshme. Ju siguroj se një pjesë e madhe e ndërtesave në Tiranë, dhe padiskutim edhe në qytetet e tjera, nuk kanë lidhje fare me lejet e ndërtimit të miratuara jo vetëm në aspektin e cilësisë, por në volumin dhe formën e tyre”,  tha Rama.

Kryeministri theksoi se nëse do të ishin zbatuar projektet e miratuara nga bashkitë, do të kishim sot pas 30 vitesh qytete shumë më cilësore se sa ato që kemi nga pikëpamja urbanistike dhe arkitekturore.

“Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë edhe situatën e papranueshme të pamundësisë për qindra-mijëra familje për të zotëruar pronën e tyre pasi e blejnë nga ndërtuesit është tejkalimi i të gjithë kornizës së lejes së miratuar. Kate shtesë lart, anash, sepse nuk ka funksionuar kontrolli mbi ndërtimet”, tha Rama.

Rama tha se “kjo nuk ka funksionuar dhe nuk mund të funksionojë me sistemin që është mbrojtur këtu në këtë sallë për vite e dekada të tëra”.

“Beteja e nisur prej meje qysh në vitet e para në bashkinë e Tiranës dhe e humbur, nga përpjekja për të ndëshkuar me sanksione të rënda çdo metër katror jashtë lejes që u kthye në incentivë për të ndërtuar më shumë pa leje. Nga gjoba me 100% për metra katror për banesat dhe 150% për dyqanet u zbrit këtu në këtë sallë në 4% të kostos për metra katror të shtëpive dhe 8% të kostos të dyqaneve, pra në një incentivë për të ndërtuar pa leje, – tha Rama, duke shtuar se, – nuk është sanksion”.

Rama tha se “nuk mund të funksionojë kontrolli mbi lejet e ndërtimit nëse nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë penale për gjithë zinxhirin”.

“Arkitektët nuk mund të dorëzojnë projektin në letër dhe të ikin, pasi janë përgjegjës dhe duhet të firmosim në fund për konformitetin e godinës që është ngritur me projektin në bashki. Konstruktori nuk mund të mos mbajë përgjegjësi penale nëse zhvilluesi i thotë hajde ta bëjmë 8 kate një godinë të miratuar me 5 kate dhe konstruktori bën rikonstruksionin. Nuk mundet supervizorët apo kolauduesit të kolaudojnë pa denoncuar ndërtime që dallojnë nga leja e miratuar”,  shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “pas këtij ligji ne duhet të kalojmë normat e reja në Kodin Penal që ngarkojnë me përgjegjësi të drejtpërdrejt të gjithë zinxhirin”.

“Duhet t’i bëhet e qartë arkitektit që në momentin kur zhvilluesi cenon veprën e tij duhet të sinjalizojë shtetin. Po ashtu konstruktori, kolaudatori, supervizori dhe zhvilluesi. Gjykatës nuk duhet t’i lihet diskrecioni nëse është apo jo e ligjshme shtesa. Shtesa është shkelje e ligjit që sjell cenimin e sigurisë publike të pronës të atyre që kanë blerë në atë godinë dhe sjell përfitim të paligjshëm ekonomik dhe financiar në kurriz të qytetarëve. Ky aspekt është i domosdoshëm për të plotësuar këtë kornizë”, – tha Rama.

“Në momentin kur ke marrë leje për të bërë 5 kate dhe bën 6 kate, ndërtesa është komplet e paligjshme, nuk prishet vetëm kati”,  tha Kryeministri Rama.

 

Fraksion.com