Provimi për patentat nuk do të jepet në gjuhën shqipe në Gjermani
Gjermania e ka refuzuar kërkesën për dhënien e provimit të patentave në gjuhën shqipe. Edhe procesi i njohjes së patentave do të kërkojë kohë.
Shqipëria dhe Kosova e kanë shtruar tashmë prej vitit 2018, përkatësisht 2019, kërkesën për një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjetit. Por deri tani procesi ka ecur shumë ngadalë. Për të dy shtetet pritet te nisë në shkurt faza e sondimit dhe e verifikimit të standardeve të nevojshme të sigurisë së qarkullimit rrugor në vend.
Proces i ndërlikuar
Për njohjen e patentave u fol edhe në takimin e së hënës mes kancelares Merkel dhe kryeministrit shqiptar, siç informoi Rama në një videomesazh dhe siç e konfirmuan për Deutsche Wellen diplomatë të pranishëm në takim. Edhe ministri kosovar i punëve të jashtme Behxhet Pacolli i kishte kërkuar ndihmë homologut të tij gjerman, Heiko Maas, në takimin e tij zyrtar në Berlin, një vit më parë. Maas tregoi atëherë mirëkuptim për këtë çështje, e cila, siç do të vërente ai – zakonisht nuk është objekt bisedash mes krerëve të diplomacisë dhe premtoi se do të interesohej te ministria përgjegjëse, Ministria e Qarkullimit dhe Infrastrukturës.
Vullneti i mirë politik është njëra gjë, por prapëseprapë, ekspertët mendojnë se procesi i njohjes nuk është thjesht një vendim politik. Ai ka një procedurë specifike në rastin e Gjermanisë. Sepse përveç federatës, marrëveshja do të duhet të kalojë edhe në tryezën e Konferencës së Ministrave të Infrastrukturës së Landeve Federale. Siç i tha DW-së, Julian Lange, zëdhënësi i ministrisë së Landit të Zarës, i cili në vitet 2019/2020 është kryetar i radhës së Konferencës çështja nuk ka mbërritur ende në axhendën e tyre. “Ka biseda në nivel ekspertësh, por ende nuk na ka mbërritur asnjë marrëveshje formale nga ana e Ministrisë Federale të Infrastrukturës.”
Kujtojmë se për Maqedoninë e Veriut që nga momenti kur Republika Federale hartoi marrëveshjen dhe ia parashtroi Konferencës së Ministrave dhe derisa marrëveshja u miratua me të vërtetë, kaluan pesë vjet. Procesi i njohjes së patentave mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ose Kosovës dhe Gjermanisë ndodhet ende në hapat e para, dhe ka shumë të ngjarë që të përfundojë pas shumë vitesh.
Fraksion.com