Greqia planifikon vendosjen e barrierës në det për migrantët
Greqia po planifikon të vendosë një barrierë lundruese në Deti Egje, për të parandaluar mbërritjen e migrantëve dhe refugjatëve nga Turqia.
Kështu njoftoi ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopoulos, raporton Reuters.
Gjatë viteve të fundit Greqia ka shërbyer si një portë hyrëse për në Bashkimin Evropian, për më shumë se një milionë refugjatë sirianë dhe migrantë të tjerë.
Derisa një marrëveshje me Turqinë ka ulur ndjeshëm numrin e refugjatëve, që nga viti 2016, ishujt grekë ende po përballen me kampe të mbipopulluara.
Autoritetet greke po planifikojnë që ta blejnë pengesën me gjatësi 2.7 kilometra e cila do të vendoset në det – jashtë ishullit të Lesbos – ku gjendet kampi i mbipopulluar Moria.
Qeveria tashmë ka përgatitur dokumentin, përmes të cilit fton kompanitë ofertuese të bëjnë propozimet për shitjen e pengesës.
“Ftesa për barrierën lundruese është në drejtimin e duhur. Ne do të shohim se cili është rezultati, dhe efekti i saj si parandaluese në praktikë”, tha ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos për Skai Radio.
Vitin e kaluar, 59,726 migrantë dhe refugjatë arritën në brigjet e Greqisë, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
Fraksion.com