Dita e fundit e pyetjeve në gjyqin për shkarkimin e Presidentit Trump
E enjtja është dita e fundit kur senatorët amerikanë do t’u bëjnë pyetje ekipit të avokatëve mbrojtës të Presidentit dhe ligjvënësve demokratë në rolin e prokurorëve në çështjen për shkarkimin e tij, ndërkohë që ende nuk është vendosur nëse do të lejohen dëshmitarë.
Se sa shpejt mbyllet procesi do të varet nga fakti nëse shumica republikane do ta miratojë kërkesën e demokratëve për të dëgjuiar dëshmitë e zyrtarëve kyçë të administratës. Kjo çështje mbizotëroi nç seanncën e parë të pyetjeve të mërkurën, gjatë së cilës senatorët dorëzuan pyetje me shkrim.
Në qendër të vëmendjes ishte John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, që ka shkruar në një libër ende të pabotuar se zoti Trump i tha i kishte thënë se po e bllokonte ndihmën ushtarake prej 391 milionë dollarësh për Ukrainën, deri kur Presidenti Volodymyr Zelenskiy të shpallte publikisht nje hetim për korrupsion ndaj rivalit të tij demokrat, Joe Biden.
Demokratët këmbëngulin se zoti Bolton dhe të tjerë duhet të thirren si dëshmitarë. Shumë republikanë, që thonë se zoti Trump nuk bëri asgjë të gabuar kur ngriu ndihmën për Ukrainën, nuk duan as thirrjen e zotit Bolton dhe të tjerëve si dëshmitarë, as që të paraqiten prova të tjera.
Por disa republikanë, si senatori Mitt Romney, e mbështesin thirrjen e demokratëve.
“John Bolton për shembull, mund të jetë në gjendje të na thotë me saktësi se kur u mor vendimi për t’i dhënë ndihmë të menjëherëshme Ukrainës, dhe cila ishte logjika e presidentit në atë moment. Këto janë pyetje për të cilat deri tani nuk kemi pasur përgjigje dhe unë do të doja t’i dëgjoja këto përgjigje”, tha ai.
Por nuk është e qartë nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme republikane për thirrjen e dëshmitarëve, kur të mbahet votimi i pritshëm të premten.
Demokratët thonë se thirrja ose jo e dëshmitarëve përcakton se sa i paanshëm është gjyqi.
“Para se të votohet nëse ka ose jo fajësi, do të votohet nëse ky është gjyq apo farsë”, tha senatori demokrat Tim Caine.
Faza e pyetjeve në gjyqin për shkarkim u kthye në debat për të lejuar ose jo dëshmitarë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts lexoi pyetjet e senatorëve.
“A është e mundur që Senati të marrë një vendim plotësisht të informuar për këtë çështje, pa dëgjuar dëshmi nga Bolton, Mulvaney dhe dëshmitarë të tjerë kyç ose pa parë prova të rëndësishme në formë dokumentash?”
“Përgjigjia e shkurtër është ‘jo’, është absolutisht e pamundur të kesh një gjyq të drejtë pa dëshmitarë”, tha ligjënësi demokrat, Adam Schiff.
Por palët patën edhe mundësinë që të argumentojnë kundër shkarkimit…
“Nëse presidenti bën diçka, që ai mendon se do ta ndihmojë të zgjidhet, në interest të publikut, kjo nuk mund të konsiderohet një këmbim që meriton shkarkimin”, tha avokati i Presidentit, Alan Dershowitz.
…dhe pro tij.
“Nëse ndjek prirjen e presidentit në sjellje dhe në komente, do të shohësh një president që e identifikon veten me shtetin”, tha ligjvënësi Schiff.
Senati do të vendosë nëse do ta shpallë presidentin Trump fajtor dhe nëse do ta shkarkojë, për dy akuza: abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit./VOA
Fraksion.com