AktualitetTë fundit

Vdekja e binjakëve/ Qumështi që përdorej hidhej në një kuti tjetër. Policia: Është dërguar për tu analizuar

Detaje të reja dalin në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Beratit mëngjesin e së Djelës,vdekjen e 2 binjakëve 5-muajsh. Drejtoria Vendore e Policisë Berat konfirmon zyrtarisht se,pas kqyrjes së vendit të ngjarjes (dhomës ku gjetën vdekjen fëmijët) është përjashtuar mundësia e asfiksimit të tyre nga mungesa e ajrit në dhomë.

Pista ku po hetohet është helmimi. Ekspertët kriminaliatikë të DPV Berat kanë sekuestruar në banesën e familjes Agalliu,në cilësinë e provës materiale,kutinë ku nëna hidhte qumështin që përdorte për të ushqyer fëmijët. Sipas policisë,kutia,që nuk ishte kutia e qumështit që përdorej për fëmijët,është dërguar në Tiranë për tu analizuar,për të kuptuar nëse ka qenë kutia e papastër apo me mbetje a myk që ka shkaktuar kontaminimin e qumështit që hidhej në të.

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se,policia është në pritje të përgjigjes së analizave të kësaj kutie ku hidhej qumështi i fëmijëve,analiza që do të konfirmojnë zyrtarisht edhe shkakun e vdekjes së tyre.

Dy binjakët 5-muajsh R.Agalliu dhe R.Agalliu gjetën vdekjen rreth orës 08:00 të mëngjesit të së Djelës,20 minuta pasi nëna i kishte ushqyer me qumësht dhe i kishte vendosur në krevat.

Prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve kanë dëshmuar gjithçka rreth asaj çfarë ndodhi atë ditë në banesën e tyre,ata kanë treguar edhe kutinë e qumështit që përdornin fëmijët dhe që sipas datës së skadencës skadonte në vitin 2026 por e kanë mbajtur të fshehtë faktin që,nëna e hidhte qumështin në një kuti tjetër para se ta përgatiste.

Familja Agalliu jeton në kushte të vështira ekonomike,në një godinë të ndërmarjeve shtetërore në lagjen Uznovë. Në këtë banesë jetojnë 4 vëllezërit Agalliu me familjet dhe dy prindërit e tyre,gjyshërit e binjakëve 5-muajsh.

 

Fraksion.com