AktualitetRajoniTë fundit

Procesi gjyqësor i vrasjejes që tronditi Sllovakinë

Në Sllovaki ka filluar procesi gjyqësor për vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, ku po bëhet e qartë lidhja e fortë mes politikës dhe kriminalitetit të organizuar.

Një sallë jo shumë e madhe dhe pa zbukurime në një ndërtesë të zakonshme të periferisë së qytetit të vogël sllovak. Pikërisht aty është drejtuar e gjithë vëmendja publike në Sllovaki këto ditë. Në këtë ndërtesë të gjykatës së Pezinokut, gjysmë ore me makinë nga Bratislava zhvillohet procesi për vrasjen e gazetarit investigativ, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kushnirov. Të akuzuar janë një person që dyshohet si vrasësi, një ndërmjetësuese dhe porositësi i dyshuar për vrasjen. Ky është pa dyshim procesi më i rëndësisëm gyjqësor në historinë postkomuniste të Sllovakisë. Për një kohë të gjatë, askush nuk besonte madje, se ai do të zhvillohej. Sepse në muajt e parë pas vrasjes më 21 shkurt 2018, pakkush besonte, se autorët dhe porositësit e vrasjes vërtet do të viheshin në pranga.

Politika dhe kriminaliteti i organizuar – dorë më dorë

Por kjo vrasje e tronditi Sllovakinë si asnjë ngjarje tjetër që pas pavarësisë së vendit në vitin 1993 dhe i ndryshoi disa gjëra në vend. Sidomos në një pikë: askush nuk guxonte nga shteti dhe politika që të pengonte hetuesit, si ndodhte shpesh më parë për krime me sfond politik. Gazetari Arpad Soltesz, i cili drejton qendrën investigative, Jan Kuciak, thotë se “hetuesit kanë bërë punë të shkëlqyer”. Ai e sheh këtë edhe si “sukses të protestave të shoqërisë civile që ky proces po zhvillohet.”

Në procesin gjyqësor në Pezinok nuk bëhet fjalë vetëm për një vrasje të tmerrshme me sfond politik. Para gjykatës ndodhet një sistem i gjithë, brenda të cilit politika dhe kriminaliteti i organizuar kanë qenë dorë më dorë me njëri-tjetrin. E kjo pak javë para zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen më 29 shkurt, që konsiderohen si shumë të rëndësishme. Rezultati i tyre do të vendosë, nëse tronditja e thellë politike pas vrasjes do të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme politike.

Se sa të rëndësishme janë këto ndryshime, këtë e bënë të qartë për qytetarët sllovakë hetimet e muajve të shkuar dhe ditët e para të procesit gjyqësor. Që para një viti ishte ngritur akuza kundër biznesmenit 56 vjeçar, Marian Kocner, sepse me gjasë ai e kishte dhënë porosinë e vrasjes së gazetarit Kuciak. Kuciak kishte raportuar rregullisht për bizneset mashtruese të imobiljeve dhe ato financiare të sipërmarrësit. Kocner e kishte kërcënuar hapur gazetarin, por policia nuk mori masa mbrojtëse. Për pazaret e pista të Kocners vetëm hamendësohej, por se në ç’masë kontrollonte ai politikën dhe drejtësinë në Sllovaki, kjo u bë e njohur kur Dennik N. filloi të publikonte protokolle bisedash në threema të smartphone-t që përdorte Kocner. Me çdo publikim dilnin në dritë gjëra tronditëse.

Korrupsion masiv

Biznesmeni kishte krijuar një rrrje të gjerë të politikanëve, zyrtarëve të lartë në qeveri, polici, gjykatës, prokurorë, gazetarë dhe punonjës të shërbimit sekret. Ai i korruptonte, si shpërblim ata fshihnin mashtrimet e tij, duke penguar hetimet apo shkruanin pozitivisht për të. Edhë në ditët e procesit janë publikuar shumë regjistrime që tregojnë sa thellë shkon korrupsioni në vend. Kështu një ish-punonjës i shërbimit sekret dhe ish-gazetar, Peter Toth që punonte për Kocner, foli hapur, se si ai me ndihmën e policëve dhe punonjësve të shërbimit sekret spiunonte një sërë gazetarësh, që i kishte vënë në fokus Kocneri, mes tyre edhe Jan Kuciak.

Përshtypja e opinionit publik sllovak: realiteti politik në vend është më shumë i errët se një film i mafias. Peter Bardy, kryeredaktor i portalit aktuality.sk, ku punonte edhe Jan Kuciak, thotë se, “ajo që u bë publike muajt e fundit, do të thoshte faktikisht falimentimin e drejtësisë sonë. Nëse nuk ndryshon asgjë, atëherë ky është fundi i demokracisë.”

Nuk është ende e sigurtë, sa do të ndihmojnë zgjedhjet parlamentare në fund të shkurtit. Sidoqoftë hetimet e muajve të fundit dhe fillimi i procesit gjyqësor kanë shkaktuar stuhi në peizazhin partiak sllovak. Partia qeverisëse socialdemokrate e ish-kryeministrit Robert Fico, SMER, bashkëpërgjegjëse për këto lidhje mes politikës dhe kriminalitetit të organizuar ka humbur mbështetjen. Partitë më të reja demokratike si partia socialliberale e majtë, “Sllovakia Progresive”, PS kanë shtuar mbështetjen e elektoratit.

Por nuk ka vetëm zhvillime pozitive. Rritjen më të fortë e ka shënuar partia ekstremiste e djathtë, “Kotlebovci-LSNS” e neonazistit Marian Kotleba. Në sondazhe ajo shënon aktualisht 14%, dy herë më shumë rritje se në vitin 2016. Ajo përfiton nga pakënaqësia kundrejt politikës në vend dhe qëndrimi refuzues i të rinjve ndaj elitave politike. Politologu, Grigorij Meseznikov nga “Instituti për Çështje Publike” i përmbledh në këtë formë zhvillimet në vend. “Vendi ynë ka nevojë për ndryshime radikale demokratike.” Por ai e di, se ky proces “do të jetë një proces i vështirë.”/DW

 

Fraksion.com