AktualitetPolitikëTë fundit

“Plani i Presidentes së KE-së”; Rama: Përtej Konferencës së Donatorëve; Strategji konkrete për Negociatat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “plani i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shkon përtej konferencës së Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel, pra edhe më pas ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku”.

Në një përmbledhje të takimit të mbrëmshëm në Bruksel me Presidenten Ursula von der Leyen, Kryeministri Rama tha se “ndamë me Presidenten edhe idetë e financimit të rindërtimit, me një skenar shtesë pas konferencës”.

“Mbrëmë takuam presidenten e Komisionit Europian, një zonjë me një karrierë të admirueshme dhe njohje mbresëlënëse të çështjeve europiane, e cila bujarisht na mundësoi një bashkëbisedim shumë të hapur që zgjati përreth dy orë. Qëllimi parësor i vizitës siç edhe ju kam shkruar dje ishte adresimi i problematikës së pas tërmetit , me fokus Konferencën e Donatorëve që është thirrur pikërisht nga Presidentja e komisionit në Bruksel në 17 shkurt. Ishte një bisedë që në fillim kishte një pjesë të madhe informative dhe ne informuam për të gjitha aspektet e punës sonë në trajtimin e problematikës së pas tërmetit, që nga trajtimi i familjeve të prekura tek raporti i dëmeve që po finalizohet së shkruari në bashkëpunim me ekspertët e BE-së të OKB-së, Bankës Botërore, tek masterplani i rindërtimit dhe të gjitha planet vendore për të gjitha zonat e prekura, kalendari i gjithë këtij procesi dhe natyrisht dhe plani ynë i financimit të këtij operacioni masiv rindërtimi që po të shohim dëmet tejkalon mundësitë tona”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen shumë mirë të ndaj me ju një ndjesi shumë pozitive që kam nga vëmendja e veçantë dhe rëndësia që Presidentja e Komisionit i ka kushtuar në fakt që në ditën pas tërmetit e në vijimësi të gjitha aspekteve të kësaj problematike”.

“Takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim i gatishmërisë së plotë dhe angazhimit konkret të saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit. Serioziteti me të cilin po organizohet Konferenca e Donatorëve është maksimal dhe pavarësisht se ne e dimë shumë mirë që shuma e mundshme që mund të mbledhim në atë konferencë nuk do të përmbushë dot kurrsesi të gjithë nevojat”-, tha Rama .

Kryeministri u shpreh se “kaluam në temën e saj të preferuar përshpejtimin e procesit të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më lejoni të mos zgjatem në këtë pikë të dytë, por është e sigurt që Presidentja e Komisionit ka një strategji konkrete për objektivin e çeljes së negociatave dhe ndërkohë është po kaq e sigurt se përsëri sidoqoftë fati i vendimit mbi çeljen e negociatave do të varet nga ecuria e debatit të brendshëm të Bashkimit Europian mbi vetveten dhe të ardhmen e të gjithë procesit të zgjerimit”.

Megjithatë, vijoi Rama, strategjia për negociatat është vetëm një pjesë e strategjisë së gjerë të Komisionit të ri dhe presidentes Ursula von der Lyen për nxitjen e bashkëpunimit dhe të zhvillimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Presidentja e Komisionit e sheh me entuziazëm realisht përpjekjen për ta çuar përpara procesin e Berlinit përmes marrëveshjeve që do të çojnë hap pas hapi në lehtësimin e të gjithë lëvizjes në rajonin tonë dhe finalizimin e Shengenit rajonal. BE -ja do të luajë rolin e saj mbështetës në këtë drejtim qoftë politikisht, por qoftë edhe financiarisht, sikundër e tha në Tiranë edhe vetë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “dita sot vijon me detyrën e kryetarit të OSBE-së, në selinë e NATO-s dhe pasdite vonë do të kthehemi në Tiranë për të vazhduar të gjitha përpjekjet tona”.

 

Fraksion.com