“Pengmarrja”; Hyri i gjallë në resortin “Golden” në Xhafzotaj, por u zhduk
Jan Prenga, personi i marrë peng më 17 janar në Tiranë, ka hyrë i gjallë në resortin “Golden” në Xhafzotaj të Shijakut.
Është kjo ajo që kanë fiksuar kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia, ku rezulton se ai ka hyrë me këmbët e tij.
Ndërsa më tej si pasojë e torturave dhe dhunës së ushtruar, dyshohet se ka gjetur vdekjen.
Kështu rrëmbyesit e tij, e kanë nxjerrë më tej të mbështjellë me qese të zeza, pasi e kishin zhveshur, teksa rrobat mendohet se ia kanë djegur dhe nën akuzën e fshehjes së provave, është i dyshuari i arrestuar gjatë së martës Festim Bexhdili.
Kjo pasi 30-vjeçari është filmuar me një lopatë në dorë, çka ka shtuar dyshimet se ai mund të ketë gisht në groposjen e trupit.
Krahas pesë të arrestuarve, janë edhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim, mes tyre i dyshuari kryesor Altin Hajri, pronari i resortit.
Rrëmbimi dhe vrasja e Jan (Jak) Prengës si pasojë e dhunës, dyshohet se ka ndodhur pas konflikteve që vëllai i tij ka pasur në Angli.
Dyshohet se vëllai i Prengës në Angli, Astrit Prenga, është porositur nga një grup kriminal që të transportojë një sasi të konsiderueshme kokaine me kamionin e tij, lëndë narkotike që vinte nga Amerika Latina. Mirëpo kokaina nuk është dorëzuar në destinacion, çka ka bërë që vëllai i Astritit të merret peng.
Por nga përgjimet telefonike me familjarët, Astrit Prenga, dëgjohet t’iu kërkojë që të mos flasin me policinë, duke u druajtur për fatin e të vëllait.
Pikërisht gjatë pengmarrjes 49-vjeçarin e kanë rrahur dhe duke e transportuar për në vendin ku do e mbanin peng, në resortin në Xhafzotaj të Shijakut, ka gjetur vdekjen. Pasi situata iu ka dalë nga kontrolli, ata dyshohet se e kanë groposur.
Pista kryesore e policisë është përqendruar në faktin se Prenga mund të jetë groposur në rrethinat e Shijakut. Për 49-vjeçarin u tha se nuk ka precedentë penalë, madje familjarët pretendojnë se ai nuk ka konflikte me njeri. Në pritje për tu gjetur trupi, familja e tij ka hapur dyert e mortit.
Në informacionin zyrtar të policisë, u konfirmua se rrëmbimi dhe më pas vdekja e Prengës ndodhi për shkak të të vëllait dhe konflikteve të tij për pazare droge.
Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa persona.
Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Leonard Hajrit, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë; Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak; Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.
Ndërkohë ditën e sotme, policia konfirmoi arrestimin e 30-vjeçarit Festim Bexhdili, pas deklaratës së bërë të martën për katër të arrestuarit e tjerë.
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak dhe Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, katër automjete dhe një shumë eurosh.
Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të Jak Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të Altin Hajrit.
Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamëz dhe humbjes së gjakut, ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do të mbahej peng.
Gjithashtu, rezulton se personat e dyshuar janë kujdesur për ta fshehur trupin e Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.
Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, dyshohet për drogë.
Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”