AktualitetBota+Të fundit

Pakistani mbyll vendkalimin kryesor kufitar me Afganistanin

Pakistani mbylli një vendkalim kryesor kufitar me Afganistanin, pasi dy predha godinën territorin e Pakistanit nga ana tjetër e kufirit, thanë zyrtarët.

“Çështja po bashkërendohet me autoritetet afgane”, tha zëdhënësja e Zyrës për Marrëdhënie të Jashtme e Pakistanit, Aisha Farooqui, duke shtuar se vendkalimi kufitar në Torkham, pritet të rihapet së shpejti.

Predhat ranë afër vendkalimit kufitar gjatë natës më 29 janar. Zyrtarët e sigurisë i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk raportohet për viktima.

Torkham është një nga pikat kryesore kufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit.

Çdo ditë, mijëra njerëz dhe shumë automjete që transportojnë mallra përdorin këtë vendkalim.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, kishte vendosur vitin e kaluar që ta mbante vendkalimin kufitar të hapur 24 orë në ditë, për të rritur nivelet e tregtisë.

Pakistani dhe Afganistani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara, pasi Kabuli akuzon Islamabadin për mbështetjen e militantëve talibanë.

Pakistani e mohon këtë.

Shkëmbimet e zjarrit në rajonin ndërkufitar janë të zakonshme.

 

Fraksion.com