AktualitetKosovaTë fundit

Kroacia premton mbështetje për Kosovën gjatë kryesimit të BE-së

Kroacia me rastin e marrjes së Presidencës të Këshillit të Bashkimit Evropian do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë.

Derisa për t’i përmbushur të gjitha reformat e nevojshme duhet shumë shpejt të themelohet qeveria e re pas zgjedhjeve në Kosovë.

Kështu u tha sot ku u paraqiten prioritetet e Presidencës së Kroacisë në gjashtë muajt e ardhshëm, ku do të jenë në krye të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq, tha se programi i presidencës kroate do të jetë i ndarë në katër fusha: Një Evropë në zhvillim, një Evropë që bashkon, një Evropë që mbron dhe një Evropë me ndikim.

Përveç këtyre ajo tha se do të kenë edhe detyra kryesore politike që janë korniza financiare shumëvjeçare e zgjerimit, konferenca për ardhmërinë e Evropës dhe marrëdhëniet e reja me Mbretërinë e Bashkuar. Derisa tha se edhe Kosova është një kandidate potenciale për zgjerim.

“Kosova është një kandidat potencial, kështu ne do të kushtojmë vëmendje të veçantë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, unë iu siguroj se ekziston një vullnet i fortë në Zagreb për të përparuar. Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë kanë një rëndësi parësore, dhe një politikë e besueshme dhe efektive e zgjerimit ende duhet të bazohet në një perspektivë të konfirmuar evropiane të kandidatëve dhe kandidatëve të mundshme dhe në përmbushje të kritereve të përcaktuar dhe në bazë të meritave”, tha ajo.

Duke kërkuar përmbushjen e të gjitha reformave që janë në frymën evropiane, ambasadorja Barasiq kërkoi që qeveria të formohet sa më shpejt.

“Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të jetojnë në një shtet të rregulluar, me prosperitet ku respektohet sundimi i ligjit dhe ku respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që të formohet qeveria sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të punohet në reformat e nevojshme”, shtoi ajo.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se viti 2020 paraqet kohën për ndryshime efektive për rinovimin e projektit të përbashkët evropian.

Ajo shtoi se në Samitin e Zagrebit në maj do të theksohet se fqinjësia e mirë  do të dërgojë në rrugën përpara për zgjerim dhe vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Viti 2020 paraqet kohën për ndryshim dhe rinovim të projektit tonë të përbashkët- kohën kur lidershipi efektiv kërkohet më shumë se kurrë. Zhvillimi i mëtutjeshëm i kapaciteteve dhe instrumenteve për veprim të përbashkët është mënyra e vetme për të formuar rolin drejtues të Bashkimit në nivel global…fqinjësia jonë do të kërkojë një perspektivë të qartë në rrugën përpara për zgjerim me një vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut afër në horizont”, tha ajo, raporton KosovaPress.

Shteti i fundit që e ka pasur presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian ka qenë Finlanda.

 

Fraksion.com