AktualitetTë fundit

Kosovë: As prania e diplomatëve nuk siguroi marrëveshje për qeverinë e re

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk arritën as të martën të pajtohen për formimin e qeverisë së re, gati katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të dyja partitë biseduan për rreth tri orë dhe gjatë kësaj kohë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadave kryesore perëndimore në Prishtinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha pas takimit se partia e e tij vazhdon të ngulë këmbë në kërkesat e saj.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, ne jemi të bindur se zgjidhja që kemi ofruar kohëve të fundit është një zgjidhje që i kontribuon marrëveshjes qeverisëse e cila balancon mbi suazat e votës së qytetarëve dhe besimit qytetarë që kemi marr në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Ne në çdo moment jemi të gatshëm të lidhim marrëveshje për bashkëqeverisje dhe konsiderojmë se është një marrëveshje që i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër krimit dhe korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe u jep besimin qytetarëve të cilën e kemi marrë”, tha zoti Mustafa.

Partia e tij kërkon që asaj t’i takojë posti i kryetarit të parlamentit të Kosovës, ndonëse më 26 dhjetor të vitit që lamë pas, ajo votoi në favor të zgjedhjes së zotit Glauk Konjufca në atë post. Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çështja e postit të kryetarit të parlamentit tashmë është çështje e kryer, ndërsa i ka ofruar Lidhjes Demokratike shtimin e posteve ministrore.

Ndërsa, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se nuk mund të ketë marrëveshje pa përafrim të dyanshëm.

“Nuk ka përafrim sa i përket pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar, ne kemi bërë dy propozime tjera prej që kemi dërguar emrin tim tek presidenti i Kosovës si person për kryeministër të ri, janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar mirëpo për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm dhe jo vetëm të njëanshëm. Ne jemi afruar mirëpo nga ana tjetër ka insistim vetëm në tetë janar në stilin merre ose lëre. Me qasjen merre ose lëre, nuk mund të arrijmë marrëveshje”, tha zoti Kurti.

Ndërsa, Albulena Haxhiu nga kjo lëvizje deklaroi pas takimit se “s’mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen. S’mund të jap garanci se do të bëhet, por do të garantoj për përkushtimin e Vetëvendosje që të punojë në këtë drejtim”, tha ajo.

Përfaqësuesit e dy subjekteve thanë se takimi me diplomatët e vendeve të Quint-it (një emër i përbashkët për diplomatët e pesë vendeve perëndimore: Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë), kishte për qëllim njoftimin e tyre me bisedimet aktuale, dhe jo kërkesa për ndërmjetësim apo ndikim në procesin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Diplomatët nuk u deklaruan pas takimit, por gjatë ditës përmes një deklarate thanë se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë në procesin e formimit të qeverisë së re.

Ata iu referuan një deklarate të përbashkët të bërë më 30 gusht të vitit të kaluar në të cilën thuhet se ata “përfaqësojnë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e popullit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të diplomatëve perëndimor.

Më 20 janar kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti mori mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për formimin e qeverisë dhe nga ajo ditë ka filluar afati prej 15 ditësh për një gjë të tillë.

Nëse brenda shtatë ditësh sa kanë mbetur deri në fund të afatit, nuk sigurohet një marrëveshje, atëherë presidenti i Kosovës i ofron kandidatit tjetër mundësinë që brenda dhjetë ditësh të formojë kabinetin dhe nëse as atëherë nuk ndodh, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh./VOA

 

Fraksion.com