VOA: Në Shqipëri të miturit shfrytëzohen nga industria e fasonëve
Orë të zgjatura, paga të ulëta
Dhjetra të mitur në Shqipëri punësohen çdo vit nga industria fason në kundërshtim me legjislacionin vendas dhe konventat ndërkombëtare, ndërkohë që bëhen pre e punëve të rrezikshme dhe të dëmshme për shëndetin e tyre.
Kronika është përgatitur nga Erisa Kryeziu dhe Vitori Çipi dhe është një bashkëpunim mes Zërit të Amerikës dhe rrjetit të gazetarisë investiguese BIRN.
Në qershor të vitit 2017, kur sapo kishte mbushur 16 vjeç, Gerta* nga periferia e Tiranës trokiti për punë në një fabrikë të madhe këpucësh në zonën e Kamzës, me një kupon të kartës së identitetit në duar dhe dëshirën për të ndihmuar familjen. Asokohe minorene, Gerta thotë se e gjeti veten brenda ditës në borderotë e “punonjësve sezonalë” të fabrikës.
“Ditën e parë kam ndejt te lidhëset, pastaj më kanë futur direkt në modelim. Madje, kur e shihnin që punëtori është i shkathët, e fusnin në dy ose tre procese. Mbaj mend që i bëja njëkohësisht tre procese,” kujton Gerta, e cila sot studion për administrim biznesi.
Për tetë orë e gjysmë nga e hëna në të shtunë, vajza me origjinë nga Kukësi lyente lëkurë me mastiç, modelonte pjesën e përparme të këpucëve dhe i kalonte ato ‘në kaçkavall’-një proces që i jepte lëkurës formën e duhur. Ajo paguhej 20 mijë lekë në muaj, pagë të cilën e përdori për të mbështetur financiarisht familjen.
Gerta është vetëm një nga dhjetra minorenët e Shqipërisë që punojnë në fabrikat e fasonerisë për të luftuar varfërinë. BIRN intervistoi një numër punëtorësh fëmijë të industrisë fason, të cilët e përshkruajnë punën e tyre stërmunduese, me orare të zgjatura dhe paga të ulëta brenda fabrikave të pasigurta dhe të ndotura nga kimikatet.
Të intervistuarit e quajtën veten “sezonalë”; që nënkupton punësimin e tyre të përkohshëm gjatë pushimeve verore. Brenda industrisë fason, ky term krijon hapësira më të mëdha për punë në të zezë, në mungesë të kontratave dhe sigurimeve shoqërore.
Ndonëse punësimi mbi 16 vjeç nuk është i ndaluar në Shqipëri, legjislacioni ndalon angazhimin e të miturve në punë të rënda që dëmtojnë shëndetin, moralin apo rrezikojnë jetën dhe zhvillimin normal të tyre. Për mbrojtjen e të miturve, Kodi i Punës dhe një vendim i Këshillit të Ministrave imponojnë detyrime shtesë për punëdhënësit si dhe nuk lejojnë angazhimin e tyre më shumë se 6 orë në ditë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë megjithatë se të miturit punësohen shpesh në kundërshtim me ligjin, në mungesë të vlerësimit të rrisqeve, të raporteve të aftësisë për punë apo të kontratave si dhe me orare që i tejkalojnë 8 orët në ditë.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Sigurimeve Shoqërore pranoi përmes një përgjigje të shkruar se më shumë se gjysma e të miturve nën 18 vjeç ishin punësuar në shkelje të ligjit nga industria fason në vitin 2019, në mungesë të ekzaminimit shëndetësor të detyrueshëm.
Inspektoriati i Punës evidenton gjithashtu se gati 1/4 e të miturve punonin pa kontratë dhe sigurime –ndërsa deklaroi se kishte marrë si masë ndëshkuese për këto raste pezullimin e aktiviteteve.
Përfaqësues të biznesit fason në Shqipëri thonë se fëmijët punësohen me lejen e prindërve, pasi sipas tyre u përkasin shtesave më të varfra dhe të margjinalizuara të shoqërisë. Për shkeljet ligjore në punësimin e tyre, kryetari i Dhomës së Fasonëve, Gjergji Gjika fajëson autoritetet shtetërore.
“Fasoni nuk është as delja e zezë, as delja e bardhë e tufës së bizneseve në Shqipëri. Pra nëse Shqipëria ka informalitet, ka shkelje ligji, ka…pa diskutim që do gjesh edhe në fason kompani… pra edhe shkelje ligji,”tha Gjika për BIRN.
“Problemi i kontratave është problem i organeve kompetente. Në qoftë se organet kompetente vijnë dhe kontrollojnë dhe pastaj bëhet lëshimi, ju e kuptoni që këtu ka një flirt mes kompanisë dhe punonjësve të shtetit. Kjo s’do as mend as kalem,” shtoi Gjika.
Punëtorët fëmijë
Të miturit në marrëdhënie pune gëzojnë mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit të Punës. Gjithashtu, Shqipëria ka nënshkruar një sërë konventash ndërkombëtare për mbrojtjen e minorenëve gjatë ushtrimit të punës së tyre, mes të cilave konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës së OKB-së që ndalon shfrytëzimin në përgjithësi.
Ndërsa Konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ose siç njihet ndryshe Konventa e ILO-s, parashikon eliminimin e të gjitha formave të këqija të punës për fëmijët si dhe ndalimin për t’i punësuar ata në punë të dëmshme për shëndetin, moralin dhe sigurinë.
Për shkak të kufizimeve në legjislacion dhe detyrimeve shtesë, shumica e bizneseve në Shqipëri nuk preferojnë që të marrin në punë individë nën 18 vjeç. Megjithatë, ky nuk është rasti i industrisë fason, ku përgjatë dekadave të fundit kanë punuar me qindra të mitur të papërvojë nga familjet e varfra të vendit.
Lindita, 30 vjeç, nënë e një djali kujton se filloi punë në vitin 2005, kur sapo kishte mbaruar klasën e tetë. Me ndihmën e një shoqate dhe nxitjen e familjes, ajo u punësua në një ndërmarrje prodhimi këmishash në zonën e 21 Dhjetorit.
“Familja ka ecur me mendimin ‘ose shkollën, ose punën’. Meqë unë nuk vazhdova shkollën, do të vazhdoja punën,” thotë ajo.
Ndonëse kanë kaluar 15 vite, Lindita ruan ende në kujtesë vështirësitë në komunikim dhe stërmundimin për të kapur normën.
“Ishte me normë, nëse nuk kapje normën nuk paguheshe. Norma ishte mund të themi në një lartësi shumë të madhe për moshën time, unë nuk e arrija dot sado që mundohesha….Mund të merrja 40 mijë lekë të vjetra për dy javë,” shton ajo.
Arjana nga Tirana thotë se ishte 16 vjeç kur u punësua në një fabrikë fasonerie në verën e vitit 2008. Ndonëse prindërit e saj ishin në punë, vajza asokohe e mitur thotë u nxit nga dëshira për të blerë një kompjuter për veten dhe vëllanë më të vogël.
Fillimisht kërkoi punë në një pastiçeri, por u refuzua.
“Në fasoneri nuk ishte e nevojshme të kishe përvojë, kualifikime dhe moshë madhore. Kushdo mund të punonte,” thotë Arjana. “Përgjatë vitit të parë merresha me lyerjen e lëkurës së rripave. Kjo bëhej manualisht, me kuti të vogla boje sipër së cilave kalonim rripin ose me makineri të mëdha,” shtoi ajo.
Një dekadë më vonë, pakgjë ka ndryshuar.
Papunësia mes prindërve dhe mungesa e të ardhurave për të plotësuar nevojat e shkollimit i shtyn të miturit shqiptarë drejt punës së rëndë në ndërmarrjet e fasonerisë.
Në tetor 2017, Sokoli filloi paralelisht gjimnazin dhe punën në një fabrikë lëkure në periferi të qytetit të Durrësit. Familja e tij prej 5 anëtarësh mbahej në atë kohë vetëm nga të ardhurat e siguruara nga nëna dhe djali adoleshent mendoi se nuk kishte zgjidhje tjetër.
Megjithatë, puna e mban gjithë kohës larg shtëpisë.
“Zgjohesha në orën 6 e gjysmë [të mëngjesit], bëhesha gati për shkollën dhe në 8 filloja mësimin. Nga shkolla dilja në 14:10 dhe do më duhej të kthehesha në shtëpi, të bëhesha gati për punë. Puna fillonte në 15:30 deri në 12 të natës,” e përshkruan ai një ditë të zakonshme.
Rruga e kthimit në shtëpi i merr Sokolit edhe 45 minuta të tjera.
“Për turnin mbasdite kur punoja unë nuk ka pasur transport natën. Ka punëtorë që u shkonte edhe 1 orë rrugë në këmbë. Çdo natë domethënë në këmbë nga puna deri atje, e kam 45 minuta -1 orë,” shton ai.
Ndryshe nga Sokoli, Majlinda nisi të punonte në moshën 15 vjeçare vetëm gjatë sezonit të verës, fillimisht në një fabrikë qesesh plastike, më pas në një fabrikë peshku dhe në fund të një fabrikë tekstilesh.
“Njihja dikë aty, ajo kishte folur me pronarin. Pronari i kishte thënë që të shkoja,” tregon ajo për punësimin në moshën 15 vjeç, pa firmosur asnjë dokument.
Majlinda e përshkruan punën në fasoneri si tepër të mundimshme, ndërkohë që i duhej të luftonte çdo ditë me veten për të vazhduar përpara.
“Unë çdo ditë që isha në punë, kur shkoja në shtëpi mendoja ‘ok, nesër nuk do të shkoj më atje’. Por çdo ditë çohesha dhe shkoja. Edhe pak, edhe pak…,”tha ajo.
Punësime antiligjore
Shfrytëzimi i të miturve përmes formave të këqija të punës është një temë e vazhdueshme debati në Shqipëri, e pambështetur me statistika të sakta. Një studim i vitit 2017 i UNESCO-s vlerësonte se rreth 5.2% e fëmijëve të moshës 7-14 vjeç shfrytëzohen për punë, ndërkohë që ndjekin edhe arsimin e detyrueshëm.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, institucioni përgjegjës për marrëdhëniet e punës në Shqipëri raportoi se kishte evidentuar vetëm 237 punonjës nën 18 vjeç gjatë inspektimeve të kryera në vitin 2019. Sipas Inspektoriatit, 81 prej tyre ishin vajza.
Numri i fëmijëve të punësuar në fasoneri, sipas Inspektoriatit është disa herë më i vogël. Përmes një përgjigjeje me shkrim, Inspektoriati deklaroi se numri i të miturve të punësuar në industrinë fason kishte zbritur nga 108 minorenë në vitin 2017 në 67 gjatë periudhës janar shtator 2019.
Ndonëse raportohet një numër relativisht i vogël i fëmijëve në këtë industri, inspektimet kanë zbuluar një nivel të lartë të punësimeve antiligjore. Sipas Inspektoriatit, 37 prej tyre ose 55% e të miturve ishin punësuar në kundërshtim me ligjin.
“…punëmarrësit nën 18 vjeç, para fillimit të marrëdhënies së punës duhet të pajisen me raportin mjeko-ligjor, ku deklarohet aftësia e tyre për punë. Në lidhje me shkeljet e konstatuara nga monitorimi i inpektimeve kemi fëmijë të evidentuar pa ekzaminim mjekësor,” deklaroi Inspektoriati.
Gjatë vitit 2019, Inspektoriati evidentoi gjithashtu se ¼ e fëmijëve nuk ishin deklaruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe ishin të pasiguruar. Sipas Inspektoriatit, punëdhënësit nuk kanë kryer gjithashtu vlerësim të rrisqeve përpara se fëmijët të fillojnë punë për të gjitha rastet që u gjetën të pasiguruar.
Për shkeljet e evidentuara gjatë vitit 2019, Inspektoriati ka vendosur vetëm një gjobë prej 260 mijë lekësh. Për 4 raste të tjera ka vendosur masën e paralajmërimit për gjobë.
Shkeljet ligjore të renditura për punëtorët fëmijë u bashkangjiten edhe abuzime të tjera më të gjera, të tilla si si mungesa e pajisjeve mbrojtëse, instalimet sanitare, mungesa e ambienteve të ngrënies, mungesa e ndihmës së parë dhe shërbimit mjekësor të punës apo i kontrollit periodik të punëmarrësve.
Punëtorët e mitur të fasonerisë të intervistuar nga BIRN konfirmojnë se kanë vuajtur në kurrizin e tyre shumicën e problemeve të identifikuara nga Inspektoriati i Punës.
Majlinda nga Durrësi thotë se kishte filluar punë në fabrikën e prodhimit të qeseve plastike pa asnjë kontroll mjekësor dhe pa firmosur ndonjë dokument. Kur inspektorët e Punës shfaqeshin në fabrikë, ata përcilleshin në grup për në shtëpi.
“Në momentin që ne ishim të pasiguruar dhe lajmëroheshin që mund të vinte dikush kontroll, na thonin të shkonim në shtëpi. Ka qëlluar dy raste të tilla që u larguam se mos vinin ata të kontrollit,“ thotë ajo.
Më herët në kohë, punonjëset e mitura dhe të pasiguruara mbylleshin me çelës nëpër magazina kur shfaqej kontrolli.
“Ata mund të vinin 2-3 herë në vit, jo më shumë,” tregon Lindita duke iu referuar inspektorëve të punës. “Sapo merrej vesh që po vinin, të gjitha punëtoret që ishin minorene, ishin të pasiguruara, i merrshin i fusnin në magazinë, i mbyllnin me çelës derisa të mbaronin punë ata,” shtoi ajo.
Zhvillimi i industrisë fason ndër vite duket se nuk i ka ndryshuar kushtet e punës mes aromave të rënda dhe ajrit të ngropur nga kimikatet, ndërkohë që mjetet mbrojtëse përgjithësisht mungojnë.
Nga ditët e vështira mes shkollës dhe punës, Sokoli kujton pluhurin e krijuar nga makineritë si pjesën më të rëndë.
“Ka qenë pjesa e ajrosjes, ka qenë gjithë kohës pluhur dhe as frymë nuk është se mund të merrje, ka qenë shumë problem. Pjesa e maskave nuk i jepej kujtdo, vetëm në qoftë se shkoje ta kërkoje ti që duhej një maskë. Dhe ajo jepej njëherë në javë,” tha ai për BIRN.
Ndërsa Majlinda tregon se e kishte të pamundur të ushqehej gjatë verës së vitit 2017, kur punoi në të zezë në fabrikën e qeseve plastike.
“Te kjo puna ku isha unë, i merrnim qeset, i paketonim, por pjesa e erërave që ishte atje…Në fillim nuk mësohesh dot, mezi haja,” kujtoi ajo për BIRN. “Kjo pjesa e ushqimit domethënë, nuk kishte as mensë aty,” shtoi ajo.
Mungesa e mensave për të konsumuar ushqimin i detyron punonjësit që të ushqehen në tavolinat e pista të punës.
“Gratë dhe punëtorët burra, të gjithë rrinin aty, te vendi i punës hanin. Të hash aty ku pluhuri është në maksimum, papastërtia është shumë e madhe, por nuk kishim çfarë të bënim,” kujton Gerta nga puna në fasoneri.
“I heqim nga veset”
Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonëve në Shqipëri e konsideron punësimin e fëmijëve një çështje të trashëguar, por aq sa të diktuar nga niveli i lartë i varfërisë në vend. Ndërsa kujton se në kohën e komunizmit mund të futeshe ligjërisht në punë sapo mbaroje klasën e tetë, Gjika pretendon se sot as nuk mund të mendohet që 14 apo 15 vjeçarët të punojnë në industrinë fason.
Përfaqësuesi i biznesit fason i tha gjithashtu BIRN se shumica e fëmijëve kanë të paktën njërin nga prindërit në të njëjtat fabrika. Gjika i mbrojti bizneset duke thënë se shumica e tyre i zbatojnë detyrimet e Kodit të Punës në punësimin e të miturve dhe fajësoi institucionet për rastet e shkeljeve.
Juristja Holta Ymeri i tha BIRN se ndonëse legjislacioni e ndalon krejtësisht punësimin e fëmijëve 15-16 vjeç në fasoneri dhe përcakton angazhimin e të miturve mbi këtë moshë në punë të lehta, ai nuk zbatohet.
“Në Shqipëri legjislacioni i punës shpesh shkelet. Shkelja kryesore që mund të përmendim është që të miturit janë të punësuar në punë të rrezikshme dhe kjo është kryesorja përveç shkeljeve të tjera që mund të vijojnë,” thotë Ymeri.
“Shkeljet kanë të bëjnë gjithashtu me aspektet themelore si paga, pagesa e orëve shtesë, pagesa e ditëve të pushimit ose në sektorët e rrezikshëm me masat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë,” shtoi ajo.
Gjika i Dhomës së Fasonëve mendon se punëmarrësit e kanë të vështirë që t’i kategorizojnë punët e lehta nga ato të vështira dhe kritikon paqartësitë ligjore në këtë drejtim. Ai sugjeron që është detyrë e institucioneve shtetërore që të përcaktojë kategoritë e punës për të miturit dhe më pas e punëdhënësve për t’i zbatuar.
“Punë të lehta për mendimin tim nuk ka, sikurse edhe punë të rëndë nuk ka. 90% prej tyre punojnë në makina qepëse. Ajo do të bëjë një proces. Për procesin dhe sasinë e procesit hajde të flasim,” tha Gjika.
“Ti realizosh kushtet e punës është komplet gjë tjetër, por që t’i pushosh…ne ku ta gjejmë që njerëzit të punojnë, sepse i heqim nga rruga, i heqim nga veset e të tjera me radhë,” tha shtoi ai.
Përfaqësuesi i Institutit për Kritikën dhe Emancipimin Shoqëror, Arlind Qorri, i cili ka realizuar dy studime për të drejtat e punëtorëve i tha BIRN se papunësia e prindërve është shkaku kryesor që i shtyn fëmijët drejt fasonerisë.
“Përgjithësisht është gjendja e keqe ekonomike, që i shtyn prindërtit që t’i shtyjnë fëmijët drejt punës”, tha Qorri për BIRN.
“Nga miratimi i ligjit dhe zbatimi i tij jemi shumë larg, jemi jashtëzakonisht larg, sepse nuk ju intereson atyre që kanë pushtetin ekonomik…Ne jemi në kushtet kur punëtorët në Shqipëri kanë më pak të drejta se mbase në çdo moment tjetër të historisë së Shqipërisë,” përfundoi ai.
*Të gjithë emrat e punëtorëve të fasonerisë janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.
Fraksion.com