Samiti në PE: Këshilli Europian të japë një mesazh të qartë për hapjen e negociatave
Parlamenti Europian dhe drejtuesit e Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor i kanë bërë thirrje sot Këshillit Europian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në përmbushjen e kritereve të pranimit dhe të japë një mesazh të qartë dhe pozitiv politik për hapjen e negociatave të pranimit dhe dhënien e statusit të kandidatit.
Me ftesë të Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli, drejtuesit e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Bruksel. Atyre iu bashkua kryetari i Parlamentit të Kroacisë, i cili po mban Presidencën e radhës të Këshillit.
Në fund të takimit, samiti doli me një deklaratë të përbashkët.
Deklaratë e përbashkët e Parlamentit Europian, samiti i Drejtuesve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor
Ne, kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Presidentin e Parlamentit Europian dhe Kryetarin e Parlamentit kroat, përfaqësues i presidencës kroate të Këshillit të BE-së:
1. Riafirmojmë rolin kryesor të parlamenteve për të çuar përpara axhendën e reformës në BE dhe për të paraqitur aspiratat europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor;
2. I bëjmë thirrje Këshillit Europian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në përmbushjen e kritereve të pranimit dhe të japë një mesazh të qartë dhe pozitiv politik për hapjen e negociatave të pranimit dhe dhënien e statusit të kandidatit;
3. Konsiderojmë se Samiti i Zagrebit mund të luajë një rol kryesor në rivendosjen e besueshmërisë së politikës së zgjerimit dhe t’i japë procesit një shtysë të re dhe efektive përmes përfundimeve konkrete, që do ta afronin rajonin më pranë BE-së dhe do të siguronin qëndrueshmërinë e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor;
4. Konfirmojmë angazhimin e plotë të parlamenteve tona për të marrë pjesë në reflektimet për një “qasje të përtërirë” për zgjerimin, në mënyrë që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më i afërt me qytetarët dhe shoqërinë civile; riafirmojmë që sundimi i ligjit është dhe duhet të mbetet një gur themeli i procesit të pranimit;
5. Kemi besim të plotë se zgjerimi i Bashkimit Europian do të përfitojë nga popujt e Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të BE-së dhe mund të sjellë pajtimin shumë të nevojshëm në rajon;
6. Konsiderojmë, ndërkohë që bëhen përgatitjet për Konferencën mbi të Ardhmen e Europës, se të Gjashtët e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen plotësisht me punën e Konferencës;
7. Jemi plotësisht të përkushtuar të punojnë së bashku për të forcuar demokracinë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si edhe për të thelluar kulturën parlamentare të bazuar në ndërtimin e konsensusit përmes një dialogu të qëllimshëm, të hapur, gjithëpërfshirës dhe jokonfliktual, të udhëhequr nga interesi për paqe të qëndrueshme; theksojmë rëndësinë e mbështetjes parlamentare dhe programeve për ndërtimin e kapaciteteve të realizuara në nivel lokal dhe rajonal, të mbështetura nga Parlamenti Europian;
8. Besojmë se fuqizimi i parlamenteve është një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit, pasi vetëm parlamentet e fuqizuara dhe efikase, me kultura të forta dialogu gjithëpërfshirës dhe konsensusi, mund të jenë nxitës të mirëfilltë dhe efektivë të reformave.
Në përfundim, ne, kryetarët e parlamenteve të të Gjashtëve të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e plotë të Presidentit të Parlamentit Europian dhe Kryetarit të Parlamentit kroat, që përfaqëson presidencën kroate të Këshillit të BE-së, angazhohemi të udhëheqim respektivisht parlamentet në këtë rrugë dhe të ndihmojmë në krijimin e një vrulli të ri politik në procesin e zgjerimit, që i përgjigjet pritshmërive të të gjithë qytetarëve tanë.
Fraksion.com