AktualitetPolitikëTë fundit

Ruçi dhe Balla në Samitin e PE: Kemi vetëm një Plan A në rrugëtimin drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla po marrin pjesë në Samitin e nivelit të lartë midis Parlamentit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, me temë “Ballkani Perëndimor-Një rrugë shkëmbore për zgjerimin”.

Në fjalën e tij në Samit, Kryeparlamentari Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që PE dhe personalisht Presidenti Sassoli u japin përpjekjeve të vendeve të rajonit për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Ruçi rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë drejt destinacionit europian dhe të deklaroi se vendi ka vetëm një Plan A në rrugëtimin drejt të ardhmes, që është Bashkimi Evropian.

“Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen Ne duhet të punojmë që vizioni i Parlamentit Europian, Presidentit Sassoli dhe Komisionit Europian të mbizotërojë mbi skepticizmin e dy-tre vendeve”, ka theksuar Ruçi.

Sipas kryeparlamentarit shqiptar, rajoni ka nevojë për një vlerësim realist të rezultateve drejt standardeve evropiane.

“Integrimi evropian është realizuar si një proces shpejtësish të ndryshme, por vitet e fundit shpejtësia e ecjes së vendeve të rajonit po tentohet të ngadalësohet artificialisht, nëpërmjet të ashtuquajturave rregulla të reja. Në një kohë që duhet të ndodhë e kundërta”, ka nënvizuar ai.

Ruçi u kërkoi kryeparlamentarëve të BE-së të bindin qeveritë e tyre se Ballkani Perëndimor është një rajon evropian dhe jo kufitar me Bashkimin Evropian, se kufijtë kulturorë të Evropës janë kufijtë e saj gjeografikë dhe se kufijtë politikë dhe ekonomikë ka ardhur koha të afrohen me ta.

“Ne natyrisht, kemi probleme, si ekonomitë jo konkurruese, mirëqenia e ulët, institucionet e dobëta dhe demonët etnikë e fetarë të së shkuarës. Por vlerat tona i mbizotërojnë problemet tona.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi se “Shqipëria nuk është dekurajuar nga rezervat dhe skepticizmi i disa vendeve anëtare, të cilëve u është kërkuar që, para se të shprehin qëndrimet e tyre, të vijnë në Shqipëri dhe të prekin nga afër rezultatet e problemet tona.

Ne jemi të vendosur në destiancionin tonë evropian dhe nuk kemi plan tjetër, as të hapur, as të fshehtë, as sot, as në të ardhmen”.

 

Fraksion.com