AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Merkel mbështet projektin rajonal

Kancelarja Angela Merkel ka mbajtur qëndrim domethënës dhe tejet mbështetës në lidhje me nismën e bashkëpunimit të Shengenit rajonal. Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive  nga Berlini tha sot se e ka diskutuar me Merkel dhe se “ky proces do të gjejë një mbështetje gjithmonë dhe më të madhe”.

“Konsiderohet një nismë shumë domethënëse dhe fakti që kjo nismë u ndërmor nga nga tre vende, por jo si një nismë ekskluzive, por një nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha vendet janë të ftuara dhe fakti që në fund të ditës kjo nismë nuk është asgjë tjetër veçse jetësimi i nismave të dakordësuara gjatë procesit të Berlinit e bën Kancelaren shumë të inkurajuar dhe shumë të interesuar për procesin”, – u shpreh Rama.

“Përfshirë dhe faktin që ajo e kupton shumë mirë dhe e di shumë mirë se çfarë hapi i jashtëzakonshëm është bërë në raport me Serbinë duke e bindur Serbinë që të heqë dorë nga vetoja ose nga refuzimi për të lejuar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve që do të thotë: Lëvizja e lirë e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjë që për fat të keq në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë dhe kujtojnë se duke e kthyer këtë në një debat se kush është tradhtari dhe kush është patrioti, po i bëjnë ndonjë nder apo të mirë Kosovës”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Jo! E vërteta është që po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ia ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran. Kështu ne do të vazhdojmë me procesin dhe patjetër që nxitja e gjithanshme edhe nga BE, edhe nga Gjermania, nga SHBA pa diskutim, do të jetë që procesi të ecë më tutje”, – theksoi Rama.

Rama shtoi se “ka një të dhënë domethënëse të ditëve të fundit që është shtysa e fortë e ambasadorit Grenell duke i detyruar palët dhe madje KFOR të ulet në tavolinë me Beogradin për të nënshkruar linjën e lëvizjes në linjën ajrore Prishtinë-Beograd dhe më pas në hekurudha që u përshëndet me të drejtë nga ata të cilët ndërkohë nuk lenë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim”.

“Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejtë e diskutimeve të Kancelares, që është për të ardhur keq madje, për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile, dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin simotër, sivëlla, pjesë e të njëjtit komb”, tha Kryeministri Rama.

 

Fraksion.com